Ushtrime për stimulimin e vetëshërbimit – kujdesi për veten

(mbathja/zbathja)

Fusha: Vetëshërbimi – kujdesi për veten

 

Qëllimi i ushtrimit: Zhvillimi i kompetencave për mbathjen / zbathjen e fëmijës.

Sikurse edhe zotërimi i aftësive të tjera të kujdesit për veten, ashtu edhe pavarësia në mbathjen dhe zbathjen, e ndërton vetëbesimin e fëmijës dhe i jep ndjenjën se mund të kujdeset vetë për veten e tij.  

Këto aktivitete kryhen nga të rriturit automatikisht dhe shpejt, por fëmija ka nevojë për ushtrim më të gjatë dhe kohë për t’i kryer ato. Prandaj, është e rëndësishme t’i filloni ushtrimet sa më herët të jetë e mundur. 

 

Mosha: prej një viti e tutje. 

 

Kompetencat e fituara paraprakisht: Para se të fillojë të mbathet / zbathet në mënyrë të pavarur, fëmija duhet të ketë të zhvilluar aftësi të tjera motorike, motorikë të përgjithshme dhe të lehtë të zhvilluar mirë, koordinim vizual-motorik, vëmendje dhe përqendrim. 

 

Përshkrimi: 

Çdo fëmijë është i ndryshëm dhe në mënyrë të ndryshme dhe në kohë të ndryshme do t’i zhvillojë aftësitë për t’u mbathur / zbathur. Prandaj, përdoreni tabelën e mëposhtme si orientim që duhet të ushtroni me fëmijën Tuaj. 

 

Mosha 

Aktivitetet gjatë mbathjes

Një vjet
  • luan me atlete, i zbath
  • fëmija mban këpucë me shputa të buta nëpër shtëpi derisa luan (mund t’i mbajë për 1 orë, pastaj 2 orë…)
  • pasi të bëhet më i qëndrueshëm në ecje, fillon të mbath pantofla nga nëna, babai (numra më të mëdhenj)
Dy deri më tri vjet
  • ulet në dysheme dhe përpiqet t’i mbathë pantoflat ose atletet
Tri deri më katër vjet
  • mund të mbathë këpucë me ndihmë
Katër deri më pesë vjet
  • mbathë atlete (sandale) me ngjitëse
Më shumë se pesë vjet
  • mbathet / zbathet në mënyrë të pavarur
  • gjithçka fillon me procesin e të mësuarit që t’i lidh lidhëset

 

Si mund ta ndihmojmë fëmijën që vetëm të mbathet / zbathet:

Ushtrimi i mbathjes dhe zbathjes fillon kur fëmija është foshnjë, në fillim duke mbathur atlete të buta. Në 18 muaj, kur fëmija Juaj do të fillojë të ecë, ka nevojë për atlete të buta për t’i mbrojtur këmbët e tij nga lëndimi. Është më mirë të filloni me sandale me ngjitëse. Gjithnjë derisa fëmija mbathet, është e nevojshme t’i verbalizohet veprimi, për shembull: “Tani do t’i mbathim atletet, së pari njërën këmbë… MMM, të lumtë, tani edhe këmbën tjetër… gati! Të lumtë!”. Është shumë e rëndësishme që fëmijët e moshuar të përpiqen të mos nxitojnë derisa i mbathin atletet dhe natyrisht prindi të jetë i durueshëm dhe ta inkurajojë. Nëse fëmija ka vështirësi në mbathje, mund të ndihmohet, por të lihet ta përfundojë veprimin vetë.  

Filloni me atlete ose pantofla që janë të lehta për t’u mbathur dhe për t’u zbathur, për shembull:

      • pantoflat e buta
      • sandalet me ngjitëse
      • atletet me ngjitëse

 

Zbathja

Veprimi i zbathjes është i ngjashëm me mbathjen. Filloni duke e udhëzuar fëmijën Tuaj që të ulet së pari, pastaj nëse ka të veshura këpucë me ngjitëse, së pari t’i heq ngjitëset dhe me ndihmën e dorës t’i tërheq teposhtë. Nëse fëmija është më i madh dhe e ka zotëruar teknikën e lidhjes së lidhëseve, para zbathjes duhet të udhëzohet t’i zgjidhë lidhëset dhe më pas të tërheqë këpucën përpara me dorën e tij. 

 

Mbathja 

Bëjeni mbathjen me hapa:

      • fëmija le të ulet në dysheme ose në karrige
      • jepjani atletet
      • kërkojini fëmijës t’i mbathë ato
      • jepini urdhër për ta mbathur fillimisht njërën këmbë, dhe pastaj edhe këmbën tjetër
      • nëse ka nevojë për ndihmë, ndihmojeni, por jo plotësisht – p.sh.: ndihmojeni fëmijën të fusë këmbën në atlete, më pas kërkoni prej tij që të shtyhet fort me këmbën në atlete. Pasi ta fusë këmbën në atlete, tregoji se si ta ngjet ngjitësen (kjo mund të jetë përmes shembullit të njërës atlete në të cilën Ju do ta ngjitni ngjitësen, ndërsa në këmbën tjetër kërkoni fëmijës ta përsërisë veprimin vetë). Nëse atletet kanë më shumë ngjitëse, mund të ngjitni të parën ju dhe t’i kërkoni fëmijës Tuaj që t’i ngjit ngjitëset e tjera

Është më mirë të ushtroni së pari me fëmijën tuaj para se të filloni me veprimin e ngjitjes së ngjitëseve. 

Jini të durueshëm, mos e detyroni fëmijën të ngutet! Pasi t’i mbathë, thoni të lumtë dhe inkurajojeni!

 

Më poshtë në fotografitë është dhënë shembulli se si ta bëni të njëjtën gjë:

      • para fëmijës vendoseni modelin e atleteve ose sandaleve me ngjitëse. Së bashku me fëmijën ushtrohet ngjitësja për t’u hequr dhe për t’u ngjitur
      • lëreni fëmijën të ulet në karrige dhe të përpiqet të mbathet në mënyrë të pavarur. Nëse ka nevojë për ndihmë, prindi mund t’i ndihmojë gjithashtu, derisa është duke u mbathur, mund t’i jepen udhëzime të tilla si: “Tani merre atleten e majtë dhe vendose në këmbën e majtë. Le ta heqim ngjitësen së pari, të lumtë, tani përpiqu ta fusësh këmbën në atlete… të lumtë! Tani edhe këmbën tjetër, gati, të lumtë, tani mund të shkojmë në park!”

 

Mbathja përkatëse

 

Ushtrime për stimulim

Nëse fëmija ka problem me mbathjen, mund t’i ndihmohet në mënyrën si në vijim:

      • në gjuhën e këpucëve të qepet një shirit, në të cilën fëmija mund të vendosë gishtin dhe ta tërheqë atë
      • mund të përdoren shirita: ngjitni shirita në pjesën e jashtme ose të brendshme të këpucëve (p.sh.: me fytyrë të buzëqeshur) e cila më parë do të ndahet në dy pjesë, kur fëmija do të mbathet, të dyja pjesët duhet të lidhen. Kjo do ta zvogëlojë mundësinë e mbathjes jokorrekte të këmbës së majtë dhe të djathtë

                         

 

Kur zhvilloni aftësinë e mbathjes në mënyrë të pavarur, nuk është e rëndësishme që vetëm fëmija të mësojë të mbathet, por edhe të zgjedhë këpucë të përshtatshme. Prandaj:

      • Jepini një zgjedhje të kufizuar këpucësh. Për shembull, të zgjedh midis atleteve ose sandaleve
      • Flisni për motin kur fëmija zgjedh këpucë. Pyeteni nëse është ftohtë ose ngrohtë, nëse jashtë është me diell ose po bie shi
      • Mundësoni që vetë të mësohet t’i nxjerrë këpucët nga dollapi. Prandaj zgjidhni një vend të përhershëm ku duhet të qëndrojnë këpucët dhe jepini fëmijës urdhra të shkojë t’i marrë ose t’i lë në vend pasi t’i zbathë

 

Lidhja e lidhëseve 

Si fëmija të mësojë t’i lidh lidhëset:

Pasi fëmija të mësojë në mënyrë të pavarur t’i mbathë / zbathë atletet dhe sandalet me ngjitëse, është e nevojshme që gradualisht të stimulohet që të mësojë edhe veprimin e lidhjes së lidhëseve. Ky veprim fillon rreth 5 vjeç. Gjatë kësaj kohe, një nga pyetjet më të shpeshta që i dëgjojmë nga prindërit dhe mësimdhënësit është se si t’u ndihmojmë fëmijëve të mësojnë t’i lidhin këpucët e tyre?

Për disa fëmijë, kjo aftësi nuk vjen natyrshëm dhe është e lehtë të kuptohet pse… thjesht mendoni për të gjitha hapat dhe aftësitë e nevojshme të përfshira me lidhjen e lidhëseve të këpucëve! Aftësitë e mira motorike, koordinimi vizual-motorik, vëmendja dhe përqendrimi, kujtesa dhe natyrisht, motivimi për të dëshiruar të jeni të pavarur në kryerjen e kësaj aftësie.

Fatkeqësisht, të mësuarit për t’i lidhur lidhëset e këpucëve mund të bëhet zhgënjyese për fëmijët. Në vazhdim do të jepen disa shembuj se si fëmija Juaj mund ta mësojë këtë veprim më lehtë.  

 

Shembull: Në një karton të fortë mund të vizatojmë një këpucë, një atlete, ta ngjyrosim ose të ngjisim një model të gatshëm. Në karton bëhen vrima përmes të cilave më pas fusim lidhësa së bashku me fëmijën. Gjithashtu mund të përdoren edhe këpucët që i keni në shtëpi ose të blini modele të gatshme për të ushtruar. Në fillim e demonstrojmë të gjithë veprimin, dhe pastaj i ushtrojmë me fëmijën hapat e veçantë (kalimi i lidheseve nga njëra anë në tjetrën, pastaj e ushtrojmë kryqëzimin dhe futjen e lidhëses në lidhjen e parë. Pastaj ushtrojmë mbështjelljen e njërës lidhëse dhe krijimin e një “veshi”, duke e bërë rrethin përreth “veshit” dhe futjen e lidhëses përmes vrimës së krijuar. Në fund, ushtrojmë tërheqjen e dy lidhëseve të mbështjella). Veçanërisht të dobishme për këtë aktivitet janë kornizat Montesori për lidhjen e lidhëseve dhe ushtrimin e aktivitetit sipas parimeve të Montesorit.  

 

Përshtatja e llojit të ndryshëm të aftësisë së kufizuar

Veprimi i mbathjes / zbathjes tek fëmijët me zhvillim atipik mund të jetë një proces mjaft kompleks. Ndonjëherë fëmijët me aftësi të kufizuara duhet t’i tejkalojnë sfidat specifike në mbathjen dhe zbathjen. Para fillimit të stimulimit të aktiviteteve, duhet punuar në zhvillimin e koordinimit motorik. Është gjithashtu e nevojshme që fëmija me aftësi të kufizuara të ketë motorikë të përgjithshme dhe të lehtë mirë të zhvilluar, koordinim vizual-motorik, vëmendje dhe përqendrim. 

 

Mbathja tek fëmijët me autizëm

Mbathja e këpucëve është problem për shumë prindër të fëmijës me autizëm. Ndodh që shumë fëmijë me autizëm nuk duan të mbathin këpucë. Problemi mund të jetë ngjyra ose materiali nga i cili janë bërë. Është shumë e rëndësishme kur blini këpucë për fëmijën Tuaj me autizëm, t’ia lini atij që vetë t’i zgjedhë. Lejoni që të zgjedhë paraprakisht midis këpucëve për sezonin përkatës. 

 

 Mënyrat për ta mësuar fëmijën që të mbathë këpucë: 

      • gjeni këpucë me ngjyra ose shirita që i pëlqejnë fëmijës Tuaj
      • gjeni këpucë që fëmija do të jetë në gjendje t’i mbathë në mënyrë të pavarur
      • nëse jeni duke blerë këpucë të reja, merrni parasysh këpucët të ngjashme që fëmija Juaj është duke i mbathur për momentin. Ndonjëherë fëmijët me autizëm mund të reagojnë me dhunë nëse modeli i këpucëve ose atleteve ndryshohet

 

Pasi t’i blini këpucët është e nevojshme: 

Çdo ditë të mbathen dhe t’i lejoni që fëmija t’i mbajë në shtëpi. Në fillim kjo do të jetë e shkurtër, por me kalimin e kohës intervalet kohore të rriten. Përdorni shpërblime ose lëvdata në fund të çdo intervali kohor të zgjatur. Derisa i mban këpucët, me fëmijën Tuaj luani aktivitete argëtuese, në mënyrë që të harrojë se i mban ato. Rekomandohet që këto të jenë aktivitete që fëmija Juaj pëlqen t’i bëjë. 

 

Mbathja / zbathja 

Për ta mësuar fëmijën Tuaj me autizëm se si t’i mbathë në mënyrë të pavarur, mund të filloni përmes: 

      • përdorimit të rrëfimeve sociale, rrëfimit të ilustruar që i tregon hapat përmes së cilave fëmija mbathet dhe zbathet
      • përmes përdorimit të fotografive, ku tregohet veprimi i mbathjes dhe zbathjes, të paraqitur në situatat para / pas
      • në formë të imitimit – Ju uluni pranë tij dhe mbathni këpucët Tuaja dhe i kërkoni fëmijës që t’ju imitojë

 

Nëse fëmija ka vështirësi gjatë mbathjes: 

      • në gjuhën e këpucës mund të ngjitni ngjitëse me numër ose të shkruani me shenjë permanente (1, 2) në këtë mënyrë fëmija do të dijë se cilën këpucë ta mbathë më parë
      • në pjesën e jashtme mund të ngjiten shirita të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën
      • të mësohet të përdor lugë këpucësh

 

Mbathja dhe fëmijët me vështirësi në perceptimin vizual

Veprimi i mbathjes tek fëmijët me vështirësi vizuale është sfidë. Së pari fëmija duhet të mësojë se çfarë janë këpucët, atletet, sandalet, etj. Kur punoni me fëmijën, lëreni të ulet së pari, dhe pastaj jepjani këpucën konkrete ta kapë në dorë (gjatë veprimit, vazhdimisht t’i shpjegohet verbalisht: “Tani do të të japë këpucë, ja merre, le të shohim se si duket tani“). Sikur që fëmija e prek këpucën me duar, ashtu edhe pjesët i shpjegohen atij. Gjithashtu mund me ndihmën Tuaj dhe duke ia mbajtur dorën t’i tregoni mbi veprimin dhe t’i shpjegoni, për shembull: “Kjo është pjesa e sipërme e këpucës dhe kjo është pjesa e poshtme. Kjo këtu është ngjitësja, tani ta heqim dhe ta ngjesim, të lumtë! Le të shohim se çfarë kemi tjetër…”, kaloni në pjesët e tjera dhe ia shpjegoni (kjo është gjuha e atleteve, etj.). Nëse është i nevojshëm, veprimi për një pjesë të caktuar mund të përsëritet disa herë derisa të mësohet. Pasi të prekë disa herë këpucën, kërkojini që t’i tregojë vetë pjesët. 

 

Në bashkëngjitjet, më poshtë janë dhënë shembuj se si të stimuloni fëmijën Tuaj ta mësojë veprimin: 

      • së pari ju nevojiten një palë këpucë ose sandale
      • pastaj filloni të ushtroni! E merrni atleten dhe e eksploroni së bashku me fëmijën Tuaj, në mënyrë që të njihet me teksturën dhe pjesët e atletes. Derisa ushtroni ia verbalizoni veprimin. 

 

Si fëmija me probleme vizuale të mësojë të lidh lidhësa? 

Të mësuarit e lidhjes së lidhëseve mund të duket paksa shqetësuese për një fëmijë të verbër ose me shikim të dëmtuar, por të mësuarit e pavarësisë dhe aftësive motorike të përshtatshme për moshën janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e tyre. Ushtroni në mënyrë të vazhdueshme dhe mësojini atyre procesin në faza. Ekzistojnë, gjithashtu, disa qasje më kreative që mund t’i provoni, të tilla si përdorimi i lidhëseve me madhësi dhe tekstura të ndryshme. 

 

Aktivitetet: 

      • filloni me ushtrimin e kësaj aftësie kur do të ndjeni se fëmija është gati
      • kërkojini fëmijës Tuaj t’ju ndihmojë. Derisa ai vetë nuk e zotëron aftësinë, inkurajojeni fëmijën Tuaj të ndihmojë në çfarëdo mënyre. Për shembull, mund t’i kërkoni fëmijës t’ju ndihmojë kur e mbështjellni lidhësen e këpucëve rreth gishtit
      • përdoreni të njëjtën teknikë për të lidhur të gjithë anëtarët e familjes
      • ndajeni aktivitetin në hapa dhe ushtrojeni secilin hap veç e veç
      • fëmija le t’i vendosë duart e tij mbi duart Tuaja. Lejoni t’i ndjekë duart Tuaja derisa Ju i lidhni këpucët. Kjo i mundëson fëmijës të “shikojë” se si i kaloni veprimet dhe i ndihmon të fitojë ndjenjën se çfarë lëvizjesh duhet të përdorë
      • përdorni sugjerime gjatë kryerjes së veprimit. Kjo do t’i ndihmojë t’i mësojë edhe konceptet hapësinore. Diskutoni mbi lëvizjet në kuptimin lart e poshtë, përpara dhe prapa, djathtas dhe majtas dhe para ose pas
      • shpjegojeni çdo hap me gojë. Fraza e saktë do të varet nga ajo se çfarë teknike të lidhjes përdorni, por përdorni fraza të tilla si: “Merre lidhësen e djathtë dhe kryqëzoje mbi lidhësen e majtë”. Demonstroni derisa ata “shikojnë” me duart e tyre. “Kapeni lidhësen e djathtë me dorën e majtë dhe lidhësen e majtë me dorën e djathtë”

 

Jini të durueshëm dhe inkurajojeni fëmijën! 

 

Bashkëngjitjet: 

Mbathja dhe zbathja tek fëmijët me vështirësi në lëvizje

Për shkak të lëvizjes së vështirësuar, mbajtjes së ekuilibrit ose aftësisë së vështirësuar, fëmijët me vështirësi në lëvizje përballen me probleme në aftësinë për t’u zbathur dhe mbathur në mënyrë të pavarur. 

 

Gjatë të mësuarit e veprimit të zbathjes / mbathjes, duhet të kushtoni vëmendje si në vijim: 

      • mos të ndryshohet modeli i këpucëve derisa të përvetësohet modeli paraprak (për shembull: nëse përdoren atlete me një ngjitëse derisa nuk mëson se si t’i zbathë / mbathë mos të ndryshohen)
      • këpucët duhet të jenë gjithmonë në madhësinë e duhur të këmbës së fëmijës, as më të ngushta dhe as më të gjëra
      • nëse fëmija ka një anë më pak të lëvizshme, le të ushtrojë që së pari ta mbathë atë këmbë
      • nëse fëmija ka vështirësi në mbajtjen e ekuilibrit ose lëvizshmërisë, derisa i zbathë / mbathë le të ulet

 

Derisa disa fëmijë gjatë gjithë jetës së tyre do të kenë gjithmonë nevojë për ndihmë që të zbathen / mbathen, të tjerët mund të mësohen të zbathen / mbathen vetë me ndihmën e mjeteve ndihmëse adaptive. 

 

Mjetet ndihmëse adaptive 

“Kapësit” mundësojnë që fëmijët të kapin këpucën nga dyshemeja pa u përkulur dhe gjithashtu mund të përdoren për të tërhequr pjesën e pasme të këpucës gjatë mbathjes ose gjuhën e këpucës nëse është e nevojshme. 

 

Përdorimi i lugës plastike

 

Mbathja me ndihmën e “hinkës” për këpucë 

 

Hinka plastike vendoset pas këpucës, pastaj këpuca vendoset në dysheme. Sipërfaqja e saj, e drejtë dhe e lëmuar e bën të lehtë futjen e këmbës në këpucë. Sapo të mbathet këpuca, lidhëset nga hinka tërhiqen dhe hinka del. Ky model është i shkëlqyeshëm për ata që nuk mund të prekin poshtë. Mund të përdoret në shumicën e llojeve dhe madhësive të këpucëve. 

 

Zgjedhja e këpucëve është gjithashtu shumë e rëndësishme në procesin e mbathjes / zbathjes, prandaj është më mirë të përdoren këpucë me ngjitëse ose lidhëse elastike.