Prindërit e ardhshëm shpesh kanë një ndjenjë lumturie, shprese dhe vizione të idealizuara mbi faktin se si do të duken, si do të jenë dhe cilat “momente të bukura” janë përpara në të ardhmen e tyre.

Lajmi se fëmija ka vështirësi në zhvillim, nga të gjithë prindërit përjetohet si stresues dhe traumatik. Shfaqen ndjenja të përziera, të tilla si: keqardhja, frika, pasiguria, pasiguria për të ardhmen. Derisa prindërit janë ende në fazën kur ankohen për “humbjen” e fëmijës që e prisnin, në të njëjtën kohë ata duhet t’u përshtaten nevojave të veçanta të të porsalindurit të tyre.
Studime të shumta shkencore tregojnë se, pothuajse të gjithë prindërit reagojnë pak apo shumë në një mënyrë të ngjashme kur shohin aftësi të kufizuar tek fëmija i tyre ose kur diagnostikohen.
Mund të thuhet se prindërit hyjnë në një krizë psikike që përbëhet nga disa faza:
Faza e goditjes – kjo fazë ndodh që nga momenti i parë i zbulimit të diagnozës dhe zgjat deri në disa ditë apo edhe javë. Shikuar nga aspekti që prindërit shpesh nuk janë të përgatitur psikologjikisht për të marrë fillimisht informatë në lidhje me një diagnozë të veçantë, kjo fazë zakonisht karakterizohet nga mpirja e ndjenjave, tërheqja në vetvete. Nga ana tjetër, mund të ndodhë që personi të sillet si zakonisht, por nën sipërfaqen e asaj sjelljeje të ndodhë një kaos i vërtetë.
Faza e goditjes pasohet nga fazat e reagimit kur prindërit detyrohen të shohin se çfarë ka ndodhur ose çfarë mund të ndodhë. Reagimet në këto faza janë me mohim, zemërim ose keqardhje.
Faza e mohimit është faza tjetër që pason pas fazës së goditjes. Në përpjekje për të kuptuar se çfarë do të thotë diagnoza e njoftuar, çfarë mund të pritet ose çfarë duhet të bëjë çdo anëtar i familjes, prindi mund të kalojë një lloj lufte me veten e tij. Ndjenja e fajit mund të shfaqet edhe në formën e mohimit, që do të thotë se personi nuk mund ta pranojë situatën e vërtetë, përkatësisht e mohon faktin që fëmija ka vështirësi. Disa prindër nuk dalin kurrë nga kjo fazë dhe i vetmi që humb për shkak të saj është vetë fëmija. Mohimi i vështirësive çon që prindërit të mos marrin masa për t’i trajtuar, gjë që në planin afatgjatë ndonjëherë çon në thellimin e tyre. Karakteristikë për këtë fazë është se prindërit kanë kërkesa dhe pritje tepër të larta nga fëmija, gjë që ndikon negativisht tek ai, sepse me dështimin fëmija e humb vetëbesimin dhe vetëvlerësimin tashmë të dobët.
Faza e keqardhjes dhe zemërimit – Në këtë fazë shfaqet ndjenja e fajit personal, e dështimit personal. Thelbësore janë pyetjet si në vijim: “Pse pikërisht neve duhet të na ndodhë kjo?”, “Me çfarë e kemi merituar?” etj. Në këtë fazë shfaqet edhe agresioni në formën e hidhërimit, zemërimit që u drejtohet të tjerëve si përgjegjës për gjendjen e fëmijës. Disa prindër e sulmojnë verbalisht këdo që mund të fajësohet për rrethanën e tyre “të pafat”. Ata shpesh janë të zemëruar dhe madje i fajësojnë personat profesionalë që u ofrojnë ndihmë dhe mbështetje (p.sh.: e fajësojnë mjekun që ia ka dhënë diagnozën ose i fajësojnë mësimdhënësit që punojnë me fëmijën e tyre që nuk janë profesionistë mjaft të mirë).
Në fakt, në këtë fazë fillon të kuptohet se disa dëshira, plane dhe ëndrra për fëmijën e tyre nuk do të realizohen kurrë, gjë që shkakton frustrim dhe zemërim te prindërit. Me kalimin e kohës, kërkimi i rrëfimeve të ngjashme, përvojave dhe rezultateve të huaja fillon t’u ndihmojë prindërve që të merren me këto ndjenja.
Faza e negociatave – Kjo fazë përfshin shpresën që prindërit në njëfarë mënyre mund ta “kurojnë” fëmijën e tyre. Në këtë fazë, prindërit zakonisht kërkojnë vazhdimisht zgjidhje të reja, të ndryshme dhe ndonjëherë alternative që shpresojnë se do ta “shpëtojnë” fëmijën e tyre nga situata. Ata ende nuk e pranojnë me të vërtetë aftësinë e kufizuar.
Faza e depresionit – Gjatë kësaj faze, prindërit fillojnë të fajësojnë veten e tyre. Ata mendojnë se kanë bërë diçka për të shkaktuar që fëmija i tyre të ketë aftësi të kufizuar. Prindërit ose njëri prej tyre është i dëshpëruar, nuk ka vullnet të bëjë përpjekje të mëtejshme. Mendojnë se çfarëdo që të bëjnë, nuk do të jetë më mirë. Faza kalon kur individi e kupton se nuk është fajtor për gjendjen.
Faza e përshtatjes ose pranimit të realitetit – në dallim nga më parë kur prindi u prek plotësisht nga trauma, në këtë fazë ai fillon ta pranojë realitetin, të shikojë përsëri përpara dhe të mendojë për përshtatjen me situatën e jetës. Prindërit fillojnë ta shohin fëmijën e tyre ashtu siç është. Ky qëndrim i prindërve kontribuon maksimalisht të shfrytëzohen potencialet e fëmijës. Në nivelin familjar, rivendoset komunikimi midis anëtarëve, vendosen rregulla dhe rituale të reja të familjes, të cilat do të ndihmojnë në krijimin e një kornize për kujdesin adekuat të fëmijës.
Faza e daljes nga izolimi karakterizohet nga krijimi i rrjetit të mbështetjes duke u lidhur me familjet që kalojnë ose kanë kaluar të njëjtën situatë ose të ngjashme, duke i rindërtuar lidhjet me familjen më të gjerë, miqtë dhe komunitetin. Mund të thuhet se prindërit arritën të zhvillojnë një qëndrim të vendosur ndaj diagnozës së fëmijës. Arritja e kësaj faze varet shumë nga mbështetja e mjedisit. Prindërit shpesh tregojnë se përvojat negative në shoqëri, institucionet e papërgatitura, ose qëndrimet e papërshtatshme dhe empatike të personave profesionalë (mjekë, infermierë, mësimdhënës, juristë), fqinjët, madje edhe anëtarët e familjes mund t’i kthejnë mbrapa në fazat e zemërimit ose depresionit.