Formimi i rutinave dhe ritualeve tek fëmijët
Kuptimi i rutinave dhe ritualeve
Bota është e panjohur për fëmijën e porsalindur. Muajt e parë të jetës së tij nënkuptojnë zbulimin e vazhdueshëm të mjedisit. Meqë prindërit janë të parët që e prezantojnë fëmijën në botë, është shumë e rëndësishme që ata t’ia organizojnë mjedisin dhe të zbatojnë orare fikse dhe aktivitete të përsëritura, duke i mundësuar kështu fëmijës të asimilojë skema të sjelljes.
Rutinat dhe ritualet janë aktivitete të përditshme që janë të rëndësishme për funksionimin e duhur, si të individit, ashtu edhe të gjithë familjes. Rutinat e krijuara familjare e zvogëlojnë shfaqjen e sjelljes problematike tek fëmija. Përmes rutinave dhe ritualeve, ndërsa me të edhe krijimin e shprehive, fëmijës i ofrohet një mjedis i qëndrueshëm në të cilin fëmija do të jetë në gjendje të mësojë dhe të edukohet, si dhe të zhvillojë vetëbesimin e tij.
Rutinat mund të mësohen herët, por ato nuk shfaqen vetvetiu, prandaj është e nevojshme që prindërit të jenë këmbëngulës në krijimin dhe përsëritjen e tyre të vazhdueshme. Kur fëmija do ta zotërojë rutinën, ai e krijon ndjenjën e sigurisë dhe kënaqësisë, sepse e di se çfarë të presë, dhe në të njëjtën kohë mëson se çdo aktivitet zhvillohet në kohën dhe vendin e vet. Vendosja e rutinave i zvogëlon situatat e konfliktit, jep një sens të rendit dhe e lehtëson bashkëpunimin midis fëmijës dhe anëtarëve të familjes.
Rutinat që përsëriten me kalimin e kohës mundësojnë që fëmija të njohë se cili aktivitet do të kryhet dhe në cilën periudhë të ditës. Shumica e rutinave lidhen me aktivitetet e përditshme, të tilla si rutinat gjatë ngrënies, veshjes, larjes së dhëmbëve, rutinave të mëngjesit, të mbrëmjes, etj.
Ritualet kanë kuptim emocional duke i dhënë individit një ndjenjë të përkatësisë në familje. Duke i përfshirë ritualet në jetën e përditshme të fëmijës, jo vetëm që forcohet vetëbesimi i tij, por edhe prindëria pasurohet përmes kohës më të mirë të kaluar së bashku, ndërsa marrëdhënia e ndërsjellë bëhet më cilësore.
Si të futen rutinat dhe ritualet tek fëmija
Rutinat ditore i japin fëmijës një lloj shikueshmërie gjatë ditës. Vendosja e rutinave tek fëmija fillon derisa është akoma foshnje, megjithëse në disa muajt e parë mund të jenë më të ndryshueshme për shkak të ndryshimeve të zhvillimit tek foshnja.
Planifikimi i mirë i rutinave, parashikueshmëria dhe rregullsia janë tri pikat kryesore për suksesin e tyre.
Gjatë formimit të rutinave është e nevojshme të zbatohet kjo si në vijim:
-
-
- tregoni konsekuencë, por edhe fleksibilitet
-
Ajo që është e rëndësishme është që aktivitetet gjatë ditës të kryhen në të njëjtin orar dhe në kohën e zakonshme. Por, kjo nuk do të thotë që ndjekja e rutinës duhet të barazohet me ndjekjen e orës. Për shembull, kur kryeni rutinën e gjumit është shumë më e rëndësishme të ndiqni lodhjen e fëmijës sesa t’i bëheni skllav orës. Tregoni fleksibilitet dhe kushtojini vëmendje nevojave të fëmijës duke i ndjekur shenjat e dhëna nga fëmija kur e zë gjumi, ose kur është i uritur dhe të ngjashme. Përdorni ato shenja si bazë për ndërtimin e rutinës së caktuar.