Zhvillimi i komunikimit në vitin e parë
Zhvillimi i të folurit fillon që në lindje. Komunikimi me mjedisin është baza për zhvillimin e të folurit. Të folurit është një proces kompleks dhe i ndjeshëm që zhvillohet nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm: fiziologjik dhe anatomik, por mbi të gjitha, është një fenomen social. Pa kontakte sociale fëmija nuk mund të mësojë të flasë.
Për të arritur në fjalët e para, foshnja duhet të bëjë një rrugë të gjatë, por interesante. Në thelb të zhvillimit të të folurit janë dy aftësi:
-
-
- aftësia për të kuptuar të folurit (të folurit receptiv) dhe
- aftësia për të prodhuar të folurit (të folurit ekspresiv)
-
Në vitin e parë, të folurit zhvillohet përmes disa fazave të ndërlidhura mes vete:
- Faza e tingujve themelorë biologjikë (nga lindja deri në 8 javë)
Kjo është faza e tingujve refleksiv-spontan:
-
-
- tingujt që shkaktojnë kënaqësi (të qetë dhe melodikë)
- tingujt që shkaktojnë pakënaqësi (më të fortë dhe më depërtues)
-
Kjo fazë është shumë e rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm të të folurit. Të gjitha foshnjat qajnë në të njëjtën mënyrë në fillim, por më pas të qarit modifikohet në varësi të stimulimit të mjedisit, veçanërisht nënës. Foshnja e shpreh komunikimin me lëvizjet e trupit dhe me shprehjet e fytyrës. E shikon me vëmendje fytyrën e nënës, duke e dalluar zërin e saj nga zërat e anëtarëve të tjerë të familjes, sepse e ka dëgjuar derisa ishte ende në barkun e saj. Foshnja në këtë moshë prodhon zanore dhe shfaqet buzëqeshja e parë refleksive.
Thithja aktive është një nga faktorët më të rëndësishëm për formimin e duhur të eshtrave dhe muskujve të fytyrës, si dhe organeve të të folurit të foshnjës.
Flisni me foshnjën Tuaj dhe jini në fushën e tij të shikimit që nga lindja. Ai nuk e kupton të folurit Tuaj, por e njeh zërin Tuaj. Nëse i drejtoheni vazhdimisht, do të fillojë të bëjë dallimin dhe do t’i njohë emocionet dhe synimet Tuaja sipas intonacionit të zërit Tuaj. Foshnja do të fillojë të njohë vështrimin Tuaj, shprehjen e fytyrës Suaj dhe tonin e zërit Tuaj, dhe gradualisht do të fillojë të shprehet duke përdorur zërin e tij. Çdo nënë di t’i njohë nevojat e foshnjës së saj sipas mënyrës së zërit të saj.
Këto janë hapat e parë në arritjen e komunikimit.
- Faza e gugatjes (nga java e 8-të deri në javën e 20-të)
Në këtë fazë fëmija i zotëron elementet e para të të folurit – intonacionin. Me shtrirjen në shpinë foshnja i zbulon bashkëtingëlloret e fytit K, G, H dhe kështu në kombinim me vokalet fillon të gugatë. Nëse prindërit marrin pjesë në gugatje, përkatësisht ata ia kthejnë me gugatje, komunikimi do të zgjasë më shumë. Gjatë kësaj periudhe foshnja fillon të reagojë ndaj toneve të ndryshme të zërit, e kthen kokën te burimi i tingullit, fillon zhvillimin e buzëqeshjes sociale (foshnja qesh në prani të nënës).
Periudha nga muaji i katërt deri në muajin e gjashtë është shumë e rëndësishme, sepse ndodhë bashkimi i tingujve që është shumë i rëndësishëm për formimin e të folurit.
Prindërit duhet ta mbështesin foshnjën në gugatjen duke e imituar gugatjen e tij dhe duke e parë në sy. Përdorni kohën kur fëmija është në humor pa e prishur ritmin e tij biologjik. Emërtojeni gjestikulacionin e tij dhe lidheni me nevojën e tij për momentin, p.sh.: “Oh, ti je i uritur”; “Po, nëna është këtu…”, “Ke të ftohtë, të dhemb barku, tani nëna do të të sjellë…”. Në këtë mënyrë, e zhvilloni të kuptuarit e fëmijës, duke u dhënë rëndësi aktiviteteve dhe nevojave momentale të foshnjës. Lejoni që çdo aktivitet i juaji të shoqërohet me të folur. Imitoni tingujt që dëgjohen në mjedis.
Kur foshnja gugat, Ju fton të qëndroni bashkë. Gjithmonë bashkohu me të. Kënaquni në ndërveprimin me foshnjën Tuaj. Mjafton ta shikoni, t’i buzëqeshni dhe t’i drejtoheni. Mund ta përsërisni gugatjen e tij, p.sh.: të thoni: “Ah, po më tregon diçka. Si qesh foshnja ime?” Duhet ta dini që nëse i përgjigjeni gugatjes së foshnjës, Ju e shpërbleni dhe e mësoni të komunikojë.