Të njoftuarit e fëmijës me ngjyrat

 

Fëmijët së pari mësojnë t’i identifikojnë ngjyrat, përkatësisht të bëjnë dallimin midis dy ngjyrave (kjo ndodh në periudhën nga muaji i 18-të deri në muajin e 24-t).

Në periudhën pas vitit të dytë, fëmija fillon t’i dallojë ngjyrat themelore (e kuqe, e gjelbër, blu, e verdhë). Sidoqoftë, nganjëherë mund të jetë zhgënjyese për prindërit, sepse të mësuarit e ngjyrave nuk është e lehtë. Ta mësoni fëmijën Tuaj të vogël t’i identifikojë lodrat, këpucët, etj., mund të duket më pak e komplikuar sesa ta mësoni t’i identifikojë ngjyrat, sepse ngjyrat janë nocione abstrakte. Fëmija nevojitet të ketë perceptim vizual të zhvilluar mirë në mënyrë që t’i njohë ngjyrat.

Të mësuarit e ngjyrave së pari fillon me njohjen e ngjyrave. Dhe jo të gjitha, por vetëm ngjyrat themelore. Së pari fillohet me të kuqen, pastaj të verdhën, ngjyrën blu dhe në fund ngjyrën e gjelbër.  

Këtu janë disa ide se si ta mësoni fëmijën t’i njohë ngjyrat themelore:

Në aktivitetet e përditshme në shtëpi

Fëmija më lehtë mund t’i perceptojë ngjyrat në aktivitetet e përditshme që përsëriten çdo ditë, përkatësisht aktivitetet e tilla si veshja, ngrënia, loja, blerjet, etj. Në çdo aktivitet që bëni me fëmijën, emërtoni ngjyrat, p.sh.: “Tani do të vendosim kapelën e kuqe.” ose “Le të marrim pjatën blu”. 

Librat e fëmijëve për t’i mësuar ngjyrat

Librat janë më të përshtatshmet për t’i mësuar nocionet në fëmijërinë e hershme. Kështu që fëmijës mund t’i lexoni libra në të cilët i ka paraqitur ngjyrat me fotografi përkatëse.

Përmes lojës

Çdo fëmijë mëson më shumë përmes lojës. Kështu që mund të përdorni derisa fëmija është duke luajtur me kube Lego, për shembull, për t’i renditur kubet sipas ngjyrës së caktuar (p.sh.: për të renditur vetëm kube të kuqe) ose për t’i emërtuar ngjyrat e kubeve kur i renditni. Gjithashtu kur luani me pemë dhe perime plastike, së bashku me emrin e pemëve, thoni edhe ngjyrën, për shembull “Ja një mollë e kuqe”.

Kur fëmija është në gjendje të bëjë dallimin midis ngjyrave, pason të theksuarit e ngjyrave. Kjo zakonisht ndodh në vitin e tretë. Mund të mos jetë në gjendje t’i shqiptojë akoma, por do të jetë në gjendje t’i theksojë. Mos u zhgënjeni nëse bëni ndonjë gabim, procesi i të mësuarit të ngjyrave nuk ndodh brenda natës. 

Në vazhdim Ju propozojmë disa ide për aktivitetet që mund t’i bëni me fëmijën Tuaj:

Klasifikimi i sendeve sipas ngjyrës

Në tre enë të ndryshme bosh, jepini fëmijës të rendisë topa në ngjyra të ndryshme. Ngjitni një fletë me ngjyrë të caktuar në enë, në mënyrë që fëmija të duhet të vendosë topin me të njëjtën ngjyrë si edhe fleta. Gjithashtu mund në shkopinj që janë të lidhura me stiropor (ose material tjetër) të vendosë copa tubesh në ngjyra të ndryshme.

Përmes lojës

Loja mund të jetë p.sh.: kërkoni kube të fshehura në një ngjyrë në të gjithë dhomën. Prindi së pari do t’i fshehë kubet dhe pastaj do t’i kërkojnë së bashku me fëmijën. Një lojë tjetër interesante është hedhja në rrathë me ngjyra të ndryshme. Prindi vendos rrathë me ngjyra të ndryshme në dysheme dhe e tregon ngjyrën në të cilën fëmija duhet të hidhet, p.sh.: “Le të hidhemi tani në rrethin e kuq”.

Kartat me ngjyra

Kartat me ngjyra gjithashtu mund ta ndihmojnë fëmijën t’i mësojë ngjyrat. Jepni fëmijës karta në fillim me 2 ngjyra dhe kërkoni që të tregojë me gisht ngjyrën që po kërkoni. Kur fëmija do t’i njoh të dyja ngjyrat, shtojeni numrin e kartave, në vend të 2 vendosni 4 karta.

Krahasimi i dy sendeve të ndryshme me ngjyrën e njëjtë

Jepini fëmijës dy sende të ndryshme, për shembull, karrocë të kuqe me mollë të kuqe, fëmija duhet t’i lidhë ose t’i grupojë në të njëjtën enë të zbrazët. Grupimi i sendeve të ndryshme me të njëjtën ngjyrë do ta ndihmojë fëmijën t’i zhvillojë aftësitë e tij kognitive.

Faza e emërtimit të ngjyrave tek fëmijët fillon rreth moshës 4 deri në 5 vjeç. Fëmijët në atë moshë kanë zhvilluar një numër të madh aftësish që mund të përdoren për të mësuar emërtimin e ngjyrave. Gjithashtu, edhe të folurit tek fëmijët në këtë moshë është zhvilluar, kështu që tashmë mund t’i emërtojnë ngjyrat.

Ja disa ide se si ta mësoni fëmijën t’i njohë ngjyrat themelore:

Ngjyrat e drurit dhe librat për të ngjyrosur

Librat për të ngjyrosur me personazhet e preferuar të fëmijëve janë gjithmonë interesantë, prandaj merrni libër për të ngjyrosur dhe derisa fëmija e ngjyros me ngjyra të ndryshme, kërkoni prej tij që t’i emërtojë ngjyrat. Gjithashtu mund të vizatoni forma të ndryshme që fëmija t’i ngjyrosë dhe në të njëjtën kohë t’i emërtoni ngjyrat.

Lojërat jashtë shtëpisë

Përdorni shëtitjet familjare për t’i mësuar ngjyrat. Derisa ecni në natyrë, emërtoni ngjyrat që i shihni, ose ngjyrat e makinave në rrugë. Motivojeni fëmijën me lavdërime sa herë që do ta thotë ngjyrën e duhur.

Lojërat shoqëruese

Ka shumë përfitime për të luajtur me lojërat shoqëruese. Ato janë kryesisht aktivitete argëtuese, por gjithashtu mund të përdoren për të mësuar emërtimin e ngjyrave. Lojëra të tilla janë: “Mos u zemëro njeri”, “Kërmilli” ose “Kolorama”. Këto lojëra janë të dedikuara për fëmijët e moshës parashkollore dhe mund të luajnë edhe fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Përshtatja për tipin e ndryshëm të aftësisë së kufizuar 

Përshtatja e aktiviteteve për fëmijën me autizëm

Zotërimi i ngjyrave tek fëmijët me autizëm mund të jetë me ritëm më të ngadalshëm, por gjithsesi parimi i zotërimit duhet të respektohet së pari në ngjyrat themelore (e kuqe, e verdhë, blu), dhe pastaj në ngjyrat komplementare. Kohëzgjatja e aktivitetit duhet të jetë në pajtim me aftësinë për të ruajtur vëmendjen. Filloni duke i klasifikuar 2 deri në 3 sende ngjyrën e kuqe dhe të verdhë dhe gradualisht rriteni numrin e sendeve. Përdorimi i mbështetjes vizuale për të njoftuar aktivitetin mund të jetë vërtet i dobishëm.

Përshtatja e aktiviteteve për fëmijën me aftësi të kufizuara fizike

Tek fëmijët me aftësi të kufizuara fizike, të mësuarit e ngjyrave nuk duhet të jetë problem nëse nuk preket zhvillimi intelektual. Së bashku me të mësuarit e ngjyrave, edhe aktivitetet e motorikës së lehtë mund të kombinohen, si për shembull, klasifikimi i topave sipas ngjyrave. Ajo që duhet t’i kushtoni vëmendje është që sendet të përshtaten për manipulim të suksesshëm nga fëmija me aftësi të kufizuara fizike.

Përshtatja e aktiviteteve për fëmijën me shikim të dëmtuar

Tek fëmijët me shikim të dëmtuar, të mësuarit e ngjyrave përshtatet në përputhje me shkallën e shikimit të mbetur. Nëse fëmija ka dëmtime organike të retinës ose ka shumë pak mbetje të shikimit, nuk do të jetë në gjendje t’i njohë dhe t’i mësojë ngjyrat. Fëmijët me shikim të dobët duhet të përdorin sende me ngjyra të forta dhe sende kontraste për t’i dalluar ato.