Fusha: Vetëshërbimi – kujdesi për veten   

Qëllimi i ushtrimit: Zhvillimi i kompetencave për zhveshjen / veshjen e fëmijës

Pavarësia në zhveshjen dhe veshjen e ndërton vetëbesimin e fëmijës dhe i jep ndjenjën se mund vetëm të kujdeset për veten e tij.  

Këto aktivitete kryhen nga të rriturit automatikisht dhe shpejt, por fëmija ka nevojë për një praktikë të gjatë dhe kohë për t’i kryer ato. Kështu që filloni të praktikoni zhveshjen dhe veshjen në mbrëmje, filloni me pizhamet kur mund t’i jepni fëmijës më shumë kohë. 

Mosha: Nga viti i parë e tutje

Kompetencat e fituara më parë:

      • të ketë të zhvilluar aftësi të caktuara motorike (nevojitet koordinimi për t’i futur duart në bluzë, këmishë…)
      • të ketë të zhvilluar aftësi të shkëlqyera motorike për të qenë në gjendje t’i kopsit pullat ose patentin
      • të jetë në gjendje të mbajë ekuilibrin e njërës këmbë (kërkohet kur vesh pantallona nga pozicioni në këmbë)
      • t’i dijë pjesët e trupit

Të gjitha këto dhe aftësitë e tjera duhet të praktikohen përpara se të kaloni në zhvillimin e aftësive të veshjes. Nga ana tjetër, veshja ju mundëson t’i praktikoni këto aftësi.

Përshkrimi: 

Çdo fëmijë është i ndryshëm dhe do t’i zhvillojë aftësitë për të zhveshur dhe veshur rroba të ndryshme në përputhje me ritmin e tij. Prandaj, përdoreni tabelën e mëposhtme si orientim që duhet të praktikoni me fëmijën Tuaj.

 

Mosha

Aktivitetet gjatë veshjes

Një vjet
  • ngre krahët për t’i veshur mëngët dhe e ngre këmbën për t’i mbathur këpucët
  • i tërheq krahët nëpër mëngë dhe këmbët nëpër pantallona
  • i tërheq çorapet dhe këpucët për t’i hequr
Dy deri në tri vjet
  • heq pallton e pakopsitur, trikon
  • heq këpucë të zgjidhura
  • ndihmon në uljen e pantallonave (i ul pantallonat pjesërisht)
  • i gjen mëngët e fanellës me krahë të shkurtra

 Në fund të vitit të dytë:

  • heq pantallonat që janë me llastik (tuta)
  • tenton që vetëm t’i vesh çorapet
  • e vesh këmishën ose trikon pa e kopsitur 
  • shkopsit pulla të mëdha
Tri deri në katër vjet
  • vesh fanellë me mëngë të shkurtra me një ndihmë të vogël
  • mbath këpucët pa i lidhur (mund t’i mbath mbrapsht)
  • mbath çorape (mund të kenë problem për t’i mbathur thembrat)
  • heq pantallonat
  • shkopsit / kopsit patent lartë / poshtë pa e vendosur në pozitën fillestare
  • zhvesh fanellë me mëngë të shkurtra
  • shkopsit pulla të mëdha të pjesës së parme të palltos / trikos
  • mund ta njoh pamjen dhe pjesën e pasme të rrobave 
Katër deri në pesë vjet
  • vetëm vesh fanellë me mëngë të shkurtra
  • kopsit rrip ose këpucë me thumba
  • e vë patentin në pozitë për kopsitje dhe e kopsit
  • i mbath çorapet
  • mbath këpucë me një ndihmë të vogël

Në fund të vitit të katërt:

  • i tërheq këmbët nëpër pantallona dhe i tërheq pantallonat lartë
  • e fut rripin dhe e kopsit
Më shumë se pesë vjet
  • vishet vetëm

 

Si mund t’i ndihmojmë fëmijës që në mënyrë të pavarur të zhvishet / vishet

  • Përgatiteni fëmijën që të zhvillojë shprehi të veshjes qysh si foshnje

Të ushtruarit e zhveshjes dhe veshjes fillon kur fëmija është foshnje, kur duhet të marrë një ide për rendin e kryerjes së aktivitetit dhe për të përforcuar bashkëpunimin e tij në kryerjen e tij. Për këtë qëllim, ndërrimin e rrobave të foshnjës paraprakisht duhet ta njoftoni verbalisht, dhe pastaj mbajeni të njëjtin rend të zhveshjes dhe veshjes (gjithmonë duke filluar nga ana e djathtë ose nga ana më pak e lëvizshme dhe duke vazhduar në anën tjetër). 

Bisedoni derisa ia ndërroni rrobat, për shembull: “Tani do ta heq bluzën. Tani do të heq njërën dorë. E hoqëm mëngën nga njëra dorë, tani do ta heq dorën tjetër…. E nxorëm mëngën nga dora tjetër (e majta). Të dyja duart janë hequr, tani do ta heq bluzën përmes kokës…” Kjo qasje do të mundësojë bashkëpunim më të madh të fëmijës në kryerjen e aktiviteteve, zvogëlimin e shqetësimit dhe zhvillimin e pavarësisë në kryerjen e tyre.

Fëmijët e vegjël fillojnë të bëhen të vetëdijshëm për rrobat duke i nxjerrë gjërat që mund të hiqen lehtësisht, të tilla si: çorapet, këpucët ose kapelat. Ndonjëherë përpiqen t’i veshin përsëri. Ju mund ta shpërbleni këtë vetëdije të hershme duke i emëruar rrobat që fëmija Juaj do të heqë dhe pjesët e trupit që do të lihen lakuriq.

  • Të filluarit me zhveshjen

Të zhvishesh është më lehtë sesa të vishesh, prandaj lëreni fëmijën të zhvishet para gjumit dhe para larjes. Duke vepruar kështu, mund ta prishni zhveshjen. Për shembull, t’i hiqni duart dhe ta hiqni bluzën përmes kokës lartë, dhe t’i kërkoni fëmijës ta nxjerrë plotësisht; ose t’i ulni pantallonat në dysheme dhe t’i kërkoni fëmijës që vetëm t’i heqë këmbët nga pantallonat.

Mund ta bëni këtë si lojë. P.sh. Kur bluza të jetë në kokë, thoni “Ku është Ivani, ku është Ivani…”. Dhe kur fëmija ta tërheq bluzën të gëzoheni “Ja ku është!”. 

  • Filloni me pjesët e rrobave që zhvishen / vishen lehtë
      • pantallonat me llastik
      • rrobat me shirit ose pulla të mëdha
      • trikot, bluzat dhe rrobat e brendshme me fotografi paraprakisht për ta ndihmuar fëmijën tuaj të njohë para dhe mbrapa. Gjithashtu mund ta shënoni pjesën e pasme me ndonjë shenjë. Për shembull, vendosni një pikë të kuqe në pjesën e pasme të brekëve me një stilolaps. Në mënyrë plotësuese, gjithmonë kushtoni vëmendje fëmijës në etiketën që tregon se cila është pjesa e pasme e rrobave
      • rroba që është e lehtë dhe e përshtatshme për fëmijën Tuaj dhe në të cilën mund të lëvizë
      • rroba që nuk ka pse të jetë shumë e kujdesshme për të mos e ndotur
  • Bëjeni veshjen në hapa

Veshja ka shumë hapa. Me qëllim që t’i ndihmoni fëmijës, ndajeni në hapa më të vegjël – për shembull, vënia e rrobave të brendshme, pastaj fanellës, pantallonave të shkurtra, çorapeve dhe këpucëve.

Gjithashtu, mund ta bëni veshjen e një lloji të caktuar të rrobave. 

Për shembull, mund ta bëni mbathjen e çorapeve:

      • përvilni çorapet
      • vini në majat e gishtave çorapet e përvjelura
      • kërkoni nga fëmija që ato t’i tërheq deri në thembër
      • tërhiqni ju përmbi thembër
      • kërkoni nga fëmija që ato t’i tërheq lartë

Gjithashtu, në fillim mund të përdorni çorape deri në nyjën e këmbës

  • Të mësuarit e hapave prej mbrapa

Një metodë e dobishme për të mësuar fëmijën të vishet në mënyrë të pavarur është të mësuarit prej mbrapa. Mësoni së pari hapin e fundit, pastaj kur fëmija mund ta bëjë hapin e fundit të detyrës, mësonjei hapin e dytë – të fundit, pastaj hapin e tretë – të fundit dhe kështu me radhë.

Për shembull, kur praktikoni të vishni pantallona të shkurtra, mbajini pantallonat për llastiku dhe ndihmoni fëmijën t’i fusë këmbët në to, ngriteni në një lartësi të caktuar dhe më pas kërkoni prej tij që t’i tërheqë deri në bel. 

Kjo qasje i mundëson fëmijës të formojë një ide që puna duhet të kryhet deri në fund dhe ta përforcojë vetëbesimin, sepse do ta ketë ndjenjën se e ka bërë detyrën në mënyrë të pavarur. Gjithashtu, kjo e motivon të vazhdojë t’i mësojë hapat e ardhshëm dhe të jetë aktiv edhe në veshjen e llojeve të ndryshme të rrobave.

  • Të vishurit në mënyrë të duhur

Kur zhvilloni aftësinë e veshjes së pavarur, është e rëndësishme jo vetëm që fëmija të mësojë të vishet me lloje të ndryshme të rrobave, por edhe t’i zgjedhë rrobat e duhura. Prandaj:

      • jepini një zgjedhje të kufizuar të rrobave. Për shembull, të zgjedh midis dy fanellave, ose dy fustaneve
      • bisedoni gjatë kohës kur fëmija zgjedh rroba. Pyete nëse i vjen ftohtë ose ngrohtë
      • mësojeni fëmijën të bëjë dallimin midis rrobave të ndyra dhe të pastra. Shpjegoni që rrobat e ndyra vendosen në shportën e rrobave për t’u larë dhe se mund ta veshë bluzën e preferuar përsëri kur të lahet
      • lejoni që fëmija të ulet derisa vishet. Çorapet, rrobat e brendshme, pantallonat, janë më të lehta për t’u veshur nga pozicioni ulur. Kur fëmija është ulur në dysheme, është më lehtë për të që t’i fus këmbët në to, sepse nuk ka nevojë të ruajë ekuilibrin. Gjithashtu, mund të jetë më e lehtë ta tërheqë rrobën e brendshme dhe pantallonat deri në gjunjë, duke u siguruar që të dyja këmbët janë futur plotësisht, dhe pastaj duke qëndruar ta tërheqë pjesën tjetër deri në bel
      • kushtojini vëmendje veshjes së palltos ose xhaketës. Për këtë qëllim, mund ta përdorni teknikën e “veshjes së xhaketës me përmbysje” ose në fillim të përdorni xhaketë me kapelë dhe ta mësoni fëmijën të vendosë kapelën më parë në kokë dhe pastaj t’i vendosë mëngët e xhaketës. Në këtë mënyrë, fëmija do ta vesh si duhet anën e majtë dhe të djathtë
      • ruani rrobat në sirtarë dhe dollapë që fëmija mund t’i arrijë lehtë. Shënoni sirtarët e rrobave me fotografi ose fjalë për t’i përshkruar rrobat që janë në sirtar. Gjithashtu, mund t’i ndani në sirtarë të veçantë rrobat që janë për çdo ditë dhe që janë për “të dalë” dhe t’i shënoni pastaj në sirtarë
      • visheni fëmijën para pasqyrës që të mund të shohë se çfarë po ndodh
      • praktikoni kopsitjen e materialeve të ndryshme didaktike

 

 

Përshtatja për llojin e ndryshëm të aftësisë së kufizuar: 

Ndonjëherë fëmijët me aftësi të kufizuara duhet t’i tejkalojnë sfidat specifike gjatë veshjes dhe zhveshjes. 

 

Veshja për fëmijët me autizëm

Karakteristikë e fëmijëve me autizëm është që zakonisht kanë ndjeshmëri shqisore ndaj stimujve të ndryshëm, gjë që kërkon kujdes në zgjedhjen e materialit të rrobave, detergjentin me të cilin lahen, etiketat që ndodhen në rroba. Prandaj, duhet ta vëzhgojmë me kujdes fëmijën dhe të përcaktojmë se cilat rroba janë të përshtatshme për të.  

Me ç’rast keni parasysh se:

      • disa fëmijë me autizëm nuk u pëlqejnë rrobat me thekë dhe prandaj duan të veshin bluza, çorape të kthyera mbrapsht
      • disa fëmijë, etiketa e rrobave i shqetëson
      • kini parasysh teksturën e rrobave (disa pëlqejnë rrobat me teksturë, të tjerët të butë dhe të lëmueshëm)
      • kini parasysh madhësinë e rrobave (disa pëlqejnë të ngushtë dhe të tjerët rroba të gjera)
      • kini parasysh ngjyrën e rrobave (disa fëmijë mund të preferojnë vetëm ngjyra të caktuara të rrobave). Gjithashtu, kini parasysh aplikimet dhe fotografitë e ndryshme të rrobave. Për disa fëmijë, ato mund të jenë shqetësuese
      • disa fëmijë mund të preferojnë të veshin rroba të reja pasi të lahen disa herë dhe të nuhasin detergjentin tuaj
      • për disa fëmijë, aroma e detergjentit mund të jetë shqetësuese, prandaj përdorni detergjentë neutralë. Jini veçanërisht të kujdesshëm kur përdorni zbutës të rrobave. Është më mirë të shmangni përdorimin e tyre

 

Veshja tek fëmijët me vështirësi në perceptimin vizual

Përgatitja për t’u veshur qysh kur fëmija është foshnje përmes të treguarit verbal të veprimit është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për fëmijët me vështirësi në perceptimin vizual. Njoftojeni: “Tani do t’i heq çorapet…. Ja po t’i heq çorapet”. Pastaj vazhdoni ta zhvilloni pavarësinë e veshjes duke i përdorur teknikat “Dorë nën dorë” dhe “Dorë mbi dorë”.

 

“Dorë nën dorë“ 

      • kjo teknikë përdoret në fazat fillestare, me qëllim që fëmija të mësohet me lëvizjet. Realizohet në mënyrë që gjatë kryerjes së veprimit, duart e fëmijës Tuaj mbështeten në duart Tuaja
      • ajo që është e rëndësishme është të mbani vazhdimisht të njëjtin rend të lëvizjeve dhe natyrisht të përshkruani verbalisht atë që po bëni. Gjithashtu, fëmija duhet të ulet pranë jush, jo në anën e kundërt me qëllim që të ketë të njëjtën perspektivë si ju

 

“Dorë mbi dorë”

      • kjo teknikë përdoret kur fëmija fillon të bëhet i aftë në kryerjen e aktiviteteve në lidhje me veshjen. Tani fëmija i kryen aktivitetet, ndërsa dora Juaj është mbi dorën e tij në mënyrë që butësisht ta drejtoni dhe t’i ndihmoni nëse është e nevojshme

 

Kushtojini vëmendje organizimit të rrobave që janë shumë të rëndësishme për fëmijët me vështirësi në perceptimin vizual. Këshilla se si t’i organizoni rrobat: 

      • vendosni vetëm një ose dy lloje rrobash në sirtar, të tilla si: çorape dhe rroba të brendshme, ose fanella dhe triko. Mund të përdorni ndarëse të sirtarëve për t’i ndarë llojet e ndryshme të rrobave. Gjithashtu, ndajini rrobat në dollap. Kjo do ta bëjë më të lehtë për fëmijën Tuaj që t’i zgjedhë vetë rrobat e tij
      • përdorni enë për kube të akullit, kuti të vogla për t’i ndarë taket e flokëve, kapëset e flokëve dhe pajisjet e tjera
      • shënoni rrobat duke përdorur etiketa në Letrën e Brajit, butona të formave të ndryshme ose etiketa me tekstura të ndryshme për t’i shënuar ngjyrat ose modelet e ndryshme. Kjo e bën më të lehtë zgjedhjen e rrobave që i përshtaten njëra-tjetrës
      • lejoni fëmijës të vendosë për një sistem që do të ketë kuptim për të dhe që do të jetë në gjendje ta mbajë mend
      • tregojini fëmijës se si t’i ndiejë dhe njohë shiritat dhe etiketat e rrobave. Kjo do ta bëjë më të lehtë për të që të njohë pamjen dhe pjesën e pasme të rrobave
      • lejoni fëmijës t’i zgjedhë rrobat një natë më parë për ta bërë më të lehtë që të vishet në mëngjes

 

Veshja dhe fëmijët me vështirësi në lëvizje

Lëvizshmëria e rënduar, vështirësia në ruajtjen e ekuilibrit ose aftësia e rënduar për shtypje e bëjnë të vështirë aftësinë të vishen në mënyrë të pavarur për fëmijët me vështirësi në lëvizje.

Gjatë trajnimit të fëmijës të bëhet i pavarur në veshjen:

      • filloni të ushtroni një lloj rrobe dhe shtoni një lloj tjetër të rrobës pasi ta zotëroni atë të mëparshmen
      • blini rrobë më të madhe për një deri në dy numra për ta bërë veshjen më të lehtë
      • nëse fëmija ka një anë më pak të lëvizshme, praktikoni ta vendos atë krah / këmbë së pari
      • nëse fëmija ka vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit ose lëvizshmërisë, siguroji një mundësi të vishet derisa rri ulur ose mbahet për diçkaje të qëndrueshme (vendos një mbajtëse në mur)
      • mendoni për stilin e rrobave para se t’i blini, disa janë më të lehta për t’u përdorur për fëmijët të cilët janë në karrocë invalidi ose kanë vështirësi të tjera të lëvizjes për mjetet ndihmëse të tjera të lëvizjes

 

Derisa disa fëmijë gjithmonë mund të kenë nevojë për ndihmë shtesë, të tjerët mund të mësohen të vishen vetë me përdorimin e mjeteve të përshtatshme ndihmëse.

 

Mjetet e përshtatshme ndihmëse për fëmijët dhe adoleshentët

      • “kapësit” lejojnë fëmijët të marrin rroba nga dyshemeja pa u përkulur dhe gjithashtu mund të përdoren për të tërhequr
      • shkopinjtë e veshjes janë gjithashtu të dobishëm për personat me lëvizshmëri të kufizuar për të ndihmuar në tërheqjen e rrobave
      • përdorni grep për pullë / tërheqje e patentit që më lehtë t’i kopsit pullat dhe patentat
      • përdorni rripa me hapje dhe mbyllje të rëndomtë
      • përdorni rrëshqitëse për t’i veshur dhe tërhequr çorapet lartë
      • zgjedhja e rrobave të duhura gjithashtu mund ta bëjë veshjen më të lehtë. Kur filloni ta ushtroni fëmijën për t’u veshur, filloni me rroba të gjera. Përdorni, gjithashtu, rroba të adaptuara në mënyrë që të rrisni pavarësinë. Për shembull, rroba që në vend të pullave kanë shirit ose magnet
      • zgjedhja e mbathjeve, gjithashtu, ka një ndikim të madh në pavarësinë në veshje. Prandaj, përdorni mbathjet me ngjitëse ose lidhëse elastike