Fusha: Të folurit

Qëllimi i ushtrimit: Stimulimi i zhvillimit të të folurit, njohja e pemëve, formimi i nocionit “pemët”.

Mosha: Duke filluar prej 2 deri më 4 vjeç.

Kompetencat e fituara paraprakisht

      • të kuptuarit e pyetjes “Ku?”
      • të kuptuarit e urdhrit “Trego!”
      • koordinimi sy-dorë
      • aftësia për të mbajtur vëmendjen për më shumë se 2 minuta

Përshkrimi: 

Për këtë aktivitet mund të përdorni pemë natyrale, një sërë pemësh plastike ose të vizatoni në fletë pemë që dëshironi t’i mësojë fëmija juaj.

Do të filloni me dy pemë që do t’i vendosni përpara fëmijës. Së pari do t’i emërtoni pemët, p.sh.: do të thoni “Kjo është banane”, do t’ia tregoni fëmijës dhe do ta ktheni në tryezë. Pastaj do të merrni mollën, do ta emërtoni “Kjo është mollë” dhe do ta ktheni në tryezë. Atëherë do ta pyesni fëmijën “Ku është banania?”, ose do t’i jepni urdhër “Më tregoni bananen!”. Nëse fëmija përgjigjet ose tregon saktë, së bashku do ta emërtoni pemën. Përdorni pemë që i pëlqejnë më shumë dhe që i njeh. 

Nëse fëmija ka vështirësi në shqiptimin e emrave të pemëve, ndajeni fjalën në rrokje: ba-na-ne, mo-lla, dre-dhë-za, qer-shia, shal-qi-ni, pje-shka. Mos prisni menjëherë që çdo tingull të shqiptohet në mënyrë korrekte, pasi disa tinguj formohen më vonë dhe lëshime të caktuara tolerohen. 

Nëse fëmija ende nuk flet, do të punoni për t’i kuptuar dhe njohur pemët.

Rriteni gradualisht numrin e pemëve në tre, katër,… (shih fotografinë e shtuar më poshtë) varësisht nga shpejtësia me të cilën fëmija i përvetëson nocionet e reja. 

Pas çdo përgjigjeje të saktë lavdërojeni fëmijën! 

Zgjerojeni aktivitetin, kjo do ta pasurojë të kuptuarit dhe fjalorin e fëmijës, në mënyrë që do të shtoni një tipar të ri për çdo pemë. Përdorni mbiemra të ndryshëm në përshkrim për ta ndihmuar fëmijën të mësojë më shumë për pemën e caktuar. Kështu mund të ushtroni ngjyra, forma, madhësi. Për shembull. do t’i tregoni fëmijës: “Banania është e verdhë”, “Molla është e kuqe” ose “Shalqiri është i rrumbullakët”, “Dredhëza është e ëmbël”. Atëherë do ta pyesni: “Cila pemë është e verdhë?” ose “Cila pemë është e kuqe?”. Gjithashtu mund të bëni një klasifikim: “M’i trego të gjitha pemët që janë të verdha?”. 

Faza tjetër në pasurimin e të folurit është formimi i nocionit “pemë”. Renditni pemët në tryezë dhe tregojini fëmijës: “Të gjitha së bashku quhen – PEMË”.

 

Përshtatja e aktivitetit të llojit të ndryshëm të aftësisë së kufizuar:

  • Nëse bëhet fjalë për fëmijë me autizëm duhet t’i kushtoni vëmendje si në vijim:
      • tek fëmijët me autizëm, gjëja më e rëndësishme është ta bëni t’ju shikojë në sy derisa i tregoni dhe ia emërtoni pemën. Kontakti me sy mund të arrihet në shumë mënyra: uluni pranë fëmijës në mënyrë që të jeni ballë për ballë dhe në të njëjtin nivel me të (nëse është i shtrirë në dysheme, shtrihuni edhe ju pranë tij), duke gudulisur, me grimasa interesante, bëni diçka që do t’ia tërhiqni vëmendjen
      • shkoni hap pas hapi, filloni me një pemë që atij i pëlqen ta hajë më shumë dhe gradualisht rriteni numrin. Të mësuarit le të jetë përmes lojës që do ta luani çdo ditë derisa t’i përvetësojë nocionet e reja. Ka shumë grupe interesante të pemëve ku fëmija mund ta presë, të bëjë sallatë…
      • përdoreni gishtin tuaj tregues, fillimisht tregojeni pemën që dëshironi ta mësojë dhe emërtojeni, pastaj atë bëjeni me gishtin e tij. Në fund, kërkoni prej fëmijës ta bëjë të njëjtën gjë. Jini këmbëngulës dhe të durueshëm
  • Përshtatja e aktivitetit nëse fëmija ka paralizë cerebrale:
      • tek fëmijët me paralizë cerebrale ka dëmtime të funksioneve motorike të organeve të të folurit. I referohet përdorimit të buzëve, gjuhës dhe nofullës. Tek 90% e fëmijëve me PC shfaqen problemet me shqiptimin, përtypjen, gëlltitjen dhe hipersalivimin. Frymëmarrja, artikulimi dhe zëri i fëmijës gjithashtu mund të preken
      • është e rëndësishme që të zhvillohet të folurit receptiv (ta kuptojë të folurit). Së pari sigurohuni nëse e kupton atë çfarë doni prej tij. Këtë do ta përcaktoni me ushtrime për kryerjen e urdhrave, p.sh.: do t’i thuani “Ku është banania?”, nëse ju tregon saktësisht, filloni të praktikoni shqiptimin
      • do ta përshtatni aktivitetin duke e ndarë secilën fjalë në rrokje ose duke e thënë tingull për tingull. Do të filloni me fjalët që shqiptohen më lehtë. Mos u dekurajoni nëse fëmija nuk mund ta shqiptojë tingullin saktë, ushtrimet e përditshme do të japin rezultate