Stimulimi i vizatimit të njeriut

 

Fusha: Zhvillimi kognitiv

Qëllimi i ushtrimit: Të motivohet fëmija të vizatojë figurë njeriu.

Mosha: 5-7 vjeç

Kompetencat e fituara paraprakisht:

      • njohja e formave gjeometrike
      • njohja e pjesëve të trupit të vet dhe identifikimi i pjesëve të trupit të personit tjetër
      • orientimi në hapësirë
      • aftësitë e zhvilluara grafomotorike
      • mundësia për të ruajtur vëmendjen për më shumë se 10 minuta

Përshkrimi i ushtrimit:

Fëmijët shprehen më së miri përmes vizatimit. Vështrimi dhe vizatimi i trupit të njeriut është një mënyrë e shkëlqyeshme që fëmija ta kuptojë trupin e tij dhe funksionin e tij. Pas vitit të katërt të jetës, fëmija mund të fillojë të vizatojë trupin e njeriut. Vizatimi është një mënyrë që fëmija t’i tregojë mendimet dhe kuptimin e tij për botën. 

Zhvillimi i fëmijës kalon nëpër një sërë fazash në mënyrë që fëmija pas moshës katërvjeçare të mund të vizatojë një vizatim themelor të figurës së njeriut. Me vizatimin, fëmija tregon se është i vetëdijshëm dhe në të njëjtën kohë tregon se cilat pjesë të trupit i ka mësuar.

Në mënyrë që fëmija t’i zotërojë pjesët e trupit, është më e lehtë të ushtrohet para pasqyrës, mund të përdoret edhe kukulla ose t’i tregojë pjesët e trupit të dikujt tjetër (p.sh. prindit).

Për ta bërë më të lehtë që të kuptojnë se çfarë të vizatojnë dhe si të vizatojnë figurë njeriu, mund të vendosni një kukull para fëmijës, një model të njeriut ose ta vizatojë prindin. Për ta bërë më të lehtë vizatimin, mund ta drejtoni fëmijën, për shembull: “Tani vizatojeni kokën së pari, pastaj sytë, tani vizatojini flokët…”, në mënyrë që ta bëni aktivitetin më të lehtë për ta kuptuar.

Përshtatja për tipin e ndryshëm të aftësisë së kufizuar

Përshtatja e fëmijës me aftësi të kufizuara fizike

Në varësi të gjendjes së fëmijës, për disa fëmijë, është e nevojshme të shtoni mjet ndihmës që do ta ndihmojë atë në kryerjen e aktivitetit. Në mënyrë që të siguroni qëndrueshmërinë e letrës në të cilën fëmija do të vizatojë, mund ta ngjisni me shirit ngjitës në tavolinë ose këmbalec, të përdorni ngjyra druri të trashë, flomasterë ose lloje të ndryshëm adaptorësh që përshtaten me kapjen e dorës së fëmijës. Nëse fëmija vizaton me gojën, mundësojani këtë me vegla të përshtatshme dhe këmbalec. 

Përshtatja e fëmijës me autizëm

Zakonisht fëmijët me spektër autistik kanë kujtesë të mirë fotografike dhe i vizatojnë gjërat në mënyrë identike siç i shohin. Kështu që përpiquni t’i jepni fëmijës detyrën të vizatojë portretin e prindit. Fëmija do ta vizatojë vizatimin me më shumë detaje sesa që pret prindi. 

Përshtatja e fëmijës me shikim të dëmtuar

Tek fëmijët me shikim të dëmtuar, mund ta përshtatni aktivitetin në mënyrë që figurën e njeriut, fëmija do ta bëj nga plastelina. Lëreni të bëjë kokën së pari, pastaj do t’i vendosë sytë, gojën, etj. Për fëmijët me shikim të dobët, mund të zgjidhni të vizatojnë me ngjyrë druri e cila do të bëjë kontrast me letrën dhe e cila do të lë gjurmë të madhe në mënyrë që të mund të shohin dhe të orientohen më lehtë.

Përshtatja e fëmijës me dëgjim të dëmtuar

Tek këta fëmijë është e nevojshme që vetëm mirë të shpjegoni atë që kërkoni prej tij për aktivitetin që do të kryhet. Jepuni kukull ose model të figurës së njeriut për t’u udhëhequr sipas tij. Ndihmojeni nëse ka nevojë për ndihmë dhe natyrisht shpërblejeni fëmijën për aktivitetin e kryer. 

children-drawing-65069_640