Mbështetja e vëllezërve dhe motrave të fëmijëve me aftësi të kufizuara

Lindja e fëmijës me aftësi të kufizuara, përveç që është sfidë për prindërit, po ashtu është edhe sfidë për vëllezërit dhe motrat e tij. Hulumtimet tregojnë se fëmijët përjetojnë stres derisa familja të përshtatet me situatën e re. Reagimi i fëmijës që ka vëlla / motër me aftësi të kufizuara përcaktohet nga shumë faktorë, si për shembull, mosha, temperamenti, mbështetja dhe resurset formale dhe joformale, sjellja prindërore, etj. Ndonjëherë vëllezërit dhe motrat e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk e shfaqin pikëllimin e tyre për të mos e rritur peshën që kanë tashmë prindërit, disa mund të reagojnë me sjellje devijuese ose në mënyrën që u përket fazave më të ulëta të zhvillimit. Zakonisht marrin më pak vëmendje nga prindërit e tyre, sepse prindërit e tyre janë të preokupuar të kujdesen për fëmijën me aftësi të kufizuara. Ndonjëherë ndodh të paraqiten edhe ngacmime nga fëmijët e tjerë të mjedisit.

Për të gjitha këto arsye është e rëndësishme që vëllezërve dhe motrave të fëmijëve me aftësi të kufizuara t’u ofrohet mbështetja përmes mënyrave si vijon:

      • të mos përjashtohen, përkatësisht prindërit, sipas moshës së tyre, t’u shpjegojnë haptazi gjithçka për aftësinë e kufizuar të vëllait ose motrës. Kjo do të bëjë që më lehtë ta pranojnë vëllanë / motrën e tyre me aftësi të kufizuara, si dhe rolin e tyre në familje
      • prindërit zakonisht e theksojnë edhe suksesin minimal të fëmijës me aftësi të kufizuara, por është gjithashtu e dëshirueshme që ta vlerësojnë edhe suksesin e vëllezërve dhe motrave, në mënyrë që të mos ndihen të harruar dhe të lënë anash
      • është e rëndësishme të caktohet një kohë e veçantë vetëm për vëllanë ose motrën, kohë në të cilën prindi do t’i kushtojë vëmendje të madhe vetëm atij. Është e rëndësishme që prindërit dhe fëmijët pa aftësi të kufizuara të kalojnë kohë së bashku të mbushur me aktivitete që nuk përqendrohen te fëmija me aftësi të kufizuara
      • prindërit të inkurajojnë përmes lojës ose aktiviteteve të tjera të përshtatshme për moshën, ndërveprimin reciprok të vëllait ose motrës dhe fëmijës me aftësi të kufizuara, njëkohësisht duke u kushtuar vëmendje të dyve
      • prindërit janë modeli i sjelljes për fëmijët e tyre, ata që duhet t’u ndihmojnë të gjejnë mënyrën e tyre të ballafaqimit dhe trajtimit të emocioneve
      • është shumë e rëndësishme t’u mundësojmë edhe të njoftuarit me fëmijët e tjerë të cilët gjithashtu kanë vëlla ose motër me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të kuptojnë se edhe familjet e tjera po përballen me situata të ngjashme. Do të ndihmojë edhe pjesëmarrja në grupet për të mbështetur vëllezërit / motrat ku mund të shkëmbejnë përvoja
      • nëpërmjet njohjes më të hollësishme me aftësinë e kufizuar të vëllait ose motrës së tyre, prindërit duhet t’i mësojnë vëllezërit / motrat me strategjitë për trajtimin e komenteve dhe çështjeve të mundshme nga bashkëmoshatarët e tyre, por edhe mbështetja psikologjike në këtë fushë mund të jetë e dobishme

Në shumicën e rasteve, fëmija me aftësi të kufizuara dhe vëllezërit dhe motrat e tij zhvillojnë marrëdhënie të veçantë që është e thellë dhe e ngrohtë. Vëllezërit dhe motrat zakonisht marrin përgjegjësi dhe veprojnë si mbrojtës, por gjithashtu mund të shfaqin edhe ndjenja të turpit, fajit dhe zhgënjimit.