Njohja e emocioneve tek fëmijët deri në moshën 6-vjeçare

Përjetimet e një personi përcillen me reagime emocionale përmes të cilave vlerësojmë, shprehim qëndrime ndaj njerëzve të tjerë, ngjarjeve, sendeve dhe veprimeve tona. Zhvillimi emocional është njëri nga proceset e rëndësishme psikike që zhvillohet nën ndikimin e trashëgimisë dhe pjekurisë, por edhe përmes mësimit gjatë socializimit. 

Tek i porsalinduri, emocionet akoma nuk janë të diferencuara dhe mund të thuhet se ndodhet në një gjendje të shqetësimit të përgjithshëm. Deri në muajin e tretë, krijohet ndjenja e kënaqësisë dhe shqetësimit, që i shpreh përmes buzëqeshjes dhe gugatjes, përkatësisht përmes të qarit dhe tendosjes së muskujve. Deri në muajin e gjashtë diferencohen frika, zemërimi, deri në muajin e dymbëdhjetë diferencohen krenaria dhe dashuria, ndërsa pak më vonë xhelozia dhe gëzimi. Bazuar në rëndësinë që e kanë ndjenjat në jetën e njeriut, ato ndahen në primare dhe sekondare.

Ndjenjat primare ose ndjenjat themelore

Frika është filogjenetikisht dhe ontogjenetikisht emocioni më i vjetër. Shoqërohet gjithmonë me tendosje, shqetësim dhe ankth, shfaqet në situatat që personi i përjeton si kërcënuese, befasuese ose të paqarta. Është një reagim automatik dhe shpesh është irracional. Burimet e frikës mund të jenë të ndryshme. Derisa të rriturit shqetësohen kryesisht nga situatat abstrakte, fëmijët shpesh kanë frikë nga ngjarjet dhe sendet konkrete, si për shembull, dhomat e errëta, bubullimat, personazhet e këqija dhe përbindëshat nga përrallat ose filmat.

Zemërimi mund të shprehet me intensitet të ndryshëm, nga zhgënjimi deri te hidhërimi i vërtetë. Shkaqet e zemërimit mund të jenë të ndryshme dhe varen nga një sërë faktorësh. Më shpesh shkaktohet në situatat kur shfaqet pengesa në arritjen e ndonjë qëllimi ku përjetimi dhe kohëzgjatja e pengesës ndikon mbi intensitetin e zemërimit.

Lumturia është emocion i këndshëm që shkaktohet nga arritja e suksesit në qëllimet e përcaktuara. Intensiteti mund të lëvizë nga kënaqësia deri te lumturia e pakufishme dhe varet nga rëndësia e qëllimit, si dhe nga e papritura në arritjen e tij.

Pikëllimi – krahas zemërimit dhe frikës gjithashtu u përket emocioneve të pakëndshme. Shfaqet kur humbasim diçka shumë të rëndësishme për ne (personin e afërt, pjesën e trupit tonë, aftësinë ose diçka për të cilën përpiqemi). Intensiteti i pikëllimit varet nga rëndësia që i kushtojmë humbjes dhe mund të lëvizë nga disponimi i ulët deri te depresioni i thellë.

Si t’i orientojmë fëmijët që t’i njohin emocionet dhe t’i shprehin në mënyrën e pranueshme sociale.

Jo rrallë herë ndodh që fëmijët të përjetojnë një sërë emocionesh gjatë ditës, të tilla si për shembull, të jenë të lumtur në një kohë dhe të pikëlluar në një kohë tjetër. Gjëja e rëndësishme për të mbajtur mend është se të gjitha emocionet janë të lejuara.

Të shprehurit, frekuenca dhe kohëzgjatja e emocioneve tek fëmijët ndryshon nga ajo tek të rriturit. Nga mënyra e shprehjes tek fëmijët ato janë sipërfaqësore dhe spontane. Për sa i përket frekuencës dhe afatgjatësisë, ato janë më të zakonshme dhe afatshkurtra sesa tek të rriturit. Përmes edukimit, fëmija fillon t’i kontrollojë emocionet e tij, por gjëja më e rëndësishme është të zhvillojë aftësinë për të njohur dhe kuptuar emocionet e tij dhe emocionet e të tjerëve.

Është e rëndësishme ta inkurajoni fëmijën tuaj për t’i shprehur emocionet dhe në të njëjtën kohë ta mësoni që këtë ta bëjë në mënyrën e pranueshme sociale. 

      • meqë fëmija vëzhgon se si prindërit sillen në situata të caktuara dhe në bazë të kësaj e mëson dhe e ndërton sjelljen e tij, jini model i mirë për të
      • ajo që mund të jetë e dobishme është t’i mundësoni fëmijës të marrë pjesë në marrëdhëniet e ndryshme sociale
      • fëmijët mësojnë më mirë përmes lojës dhe humorit ose vizatimit, prandaj bëjeni të jetë argëtues dhe komod
      • mos gjykoni, të gjitha emocionet lejohen dhe respektoni kur fëmija ju tregon atë që ka përjetuar. Konfirmoni ndjenjat e fëmijës Tuaj, për shembull, kur është i zemëruar mund të ndihmojë nëse i thoni “E kuptoj që je i zemëruar dhe kjo është në rregull, por nuk është në rregull ta godasësh motrën ose vëllanë tënd”.

Shembujt e ushtrimeve për njohjen e emocioneve dhe shprehjen e tyre në mënyrën e pranueshme sociale:

Sa më shumë pjesëmarrës në ushtrim aq më argëtues, por është gjithashtu e mundshme të bëhen në diadë prind-fëmijë. Të njëjtat ushtrime mund të zbatohen për frikën, zemërimin, lumturinë, pikëllimin, etj.

Ushtrimi 1: Përdoret fotografia me personin e lumtur dhe secili pjesëmarrës e tregon rrëfimin e tij pse personi në fotografi është i lumtur, përkatësisht e bën versionin e tij të ngjarjeve që shkaktuan lumturinë e personit.

Ushtrimi 2: Secilit pjesëmarrës i kërkohet të bëjë një person të pikëlluar, të qëndrojë përpara grupit dhe ta tregojë pikëllimin e tij me sjelljen, gjestet, mbajtjen e trupit, lëvizjen, etj. Pastaj të gjithë thonë nga çka e vunë re se tjetri është i pikëlluar, si ishte fytyra e tij, përshkruhet në detaje, mbajtja e trupit, toni i zërit…

Ushtrimi 3: Pjesëmarrësve në rrethin e prerë u kërkohet të tregojnë zemërimin e tyre duke vizatuar ose ngjyrosur me ngjyrë që e tregon ndjenjën e duhur për të. Personi që rezulton ngjitet në shpatull / shkop dhe tregohet para pjesëmarrësve të tjerë, kështu që secili pjesëmarrës në rreth diskuton mbi emocionin e vizatuar ose të ngjyrosur, e sjellë emocionin në lidhje me situatën e caktuar, pavarësisht nëse e tregon atë, shpjegon se si e tregon atë dhe nga çka të tjerët mund të vënë re emocionin e dhënë, nëse e njohin të tjerët…

Ushtrimi 4: Prindi lexon përrallë dhe bën shprehjen e fytyrës për secilin emocion të përmendur në përrallë, pastaj e pyet fëmijën e tij se çfarë mendon se cili emocion është ai dhe si ndjehet personazhi në përrallë. Biseda mund të zgjerohet më tutje edhe me përvojën e fëmijës kur ka përjetuar emocion të ngjashëm dhe në cilat mënyra mund ta shprehë atë.