Kur është koha optimale për t’i filluar trajtimet

 

Në fëmijërinë e hershme, zhvillimi i trurit është më intensiv dhe varet drejtpërdrejt nga ekspozimi i fëmijës ndaj stimulimeve dhe përvojës. Ndikimi i tyre reflektohet në natyrën dhe cilësinë e strukturës së trurit në mënyrë që ato përcaktojnë se cilat lidhje të trurit do të forcohen dhe cilat do të reduktohen. Kjo periudhë nuk është vetëm një periudhë e mundësive të mëdha, por është edhe një periudhë e cenueshmërisë së madhe. 

Rekomandohet t’i filloni trajtimet në moshën më të hershme të fëmijës, përkatësisht menjëherë pas devijimeve të vërejtura të zhvillimit nga prindi ose personi profesional. Ndërhyrja e hershme kryhet në thelb në vitet e para të fëmijës nga lindja deri në moshën 5-6 vjeç. Kjo nënkupton një gamë të gjerë të aktiviteteve për stimulimin e zhvillimit të fëmijëve, parandalimin ose zbutjen e vonesës së zhvillimit, përkatësisht punën për potencialin që ka fëmija në mënyrë që të rriten kompetencat në të gjitha fushat e zhvillimit.

Në bazë të studimeve të kryera në vendet e zhvilluara, është treguar se tipari kryesor i ndërhyrjes së hershme të suksesshme është fillimi i hershëm me të, dinamika me të cilën zbatohet, kohëzgjatja e saj, por natyrisht e gjithë kjo kërkon disponueshmërinë e një game të gjerë të shërbimeve të ndërhyrjes së hershme. Po aq i rëndësishëm është edhe angazhimi i prindërve si bashkëpunëtorë / partnerë të personave profesionalë dhe pjesëmarrja e tyre aktive në stimulimin e zhvillimit të fëmijës së tyre në kushtet e shtëpisë, në mënyrë që t’i plotësojnë nevojat e fëmijës.

Është e rëndësishme të theksohet se fillimi i ndërhyrjeve / trajtimeve për ndërhyrjen e hershme që në moshë të hershme ka efekt më të madh në zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës. Çdo përfshirje e vonuar e fëmijës në një lloj të caktuar të trajtimit do të japë rezultate të dobëta ose aspak nuk do t’i japë rezultatet e dëshiruara.