Zhvillimi i koordinimit vizual-motorik në vitin e parë të foshnjës
Koordinimi vizual-motorik nënkupton bashkëpunimin midis syve dhe duarve për të kryer një aktivitet të caktuar. Për të rriturit, këto janë lëvizje të praktikuara që kryhen në mënyrë spontane, për shembull, na pihet ujë, me sytë mbledhim të dhëna mbi faktin ku janë gota dhe çezma, ku jemi ne në hapësirë, e marrim gotën, e lëshojmë ujin të rrjedhë, e mbushim dhe e pimë, e mbyllim çezmën dhe e lëmë gotën, kështu që aktiviteti ka mbaruar. Megjithatë, kur shikojmë një foshnjë dymuajshe, situata është ndryshe. Lodrat janë varur mbi foshnjën, ai i shikon ato, por nuk i lë duart t’i kapë ato, por i lëviz kaotikisht anash.
Tek foshnja në atë moshë nuk ka koordinim midis asaj që e sheh dhe dorës që dëshiron të kap diçka.
Kjo është kështu, meqë foshnjat lindin me reflekse primitive ose lëvizje të pavetëdijshme, të cilat me zhvillimin duhet të integrohen në lëvizje të vetëdijshme dhe vullnetare ose të zhduken.
Reflekset primitive kanë kornizë kohore të parashikuar në të cilën vazhdojnë dhe pastaj zhduken ose shkrihen në lëvizjet e vetëdijshme dhe vullnetare.
Njëri prej tyre është refleksi palmar, i cili pritet të zhduket rreth muajit të tretë dhe më pas vërejmë se foshnja i hap pëllëmbët e tij dhe mban për pak kohë në mënyrë pasive sende të buta dhe të lehta.
Në të njëjtën periudhë, ai fillon të bëjë lëvizje të caktuara, akoma të pakoordinuara drejt lodrës së varur mbi të, dhe madje mund ta prekë ose ta godasë dhe ajo të lëkundet.
Ky është momenti që i jep kënaqësi dhe foshnja motivohet të përpiqet të kryejë përsëri të njëjtën lëvizje për të arritur qëllimin e tij.
Derisa i lëviz duart për të prekur lodrën, ato i hyjnë në fushën e tij të shikimit dhe në fund të muajit të tretë dhe në fillim të muajit të katërt, foshnja zbulon se ka duar.
Nëse i vendosni lodër në dorë që lëshon zë, do ta sjellë atë në fushën e shikimit, do të kuptojë se nëse e lëviz dorën e tij lëshon zë dhe do të stimulohet ta përsërisë atë lëvizje.
Këtu fillon bashkëpunimi i ndërsjellë i syve dhe duarve, ose koordinimi vizuo-motorik.