Aktivitetet për të stimuluar zhvillimin kognitiv të fëmijëve të moshës ndërmjet 12 dhe 24 muaj

 

Shkathtësitë kognitive u referohen aftësive për të menduar, për të mësuar, për të kuptuar, për t’i zgjidhur problemet dhe për të mbajtur mend.

Në periudhën ndërmjet 12 dhe 24 muaj shfaqet dhe përsoset të ecurit, kështu që fëmija është i gatshëm të vrapojë, të ngjitet, të zbresë dhe në mënyra të ndryshme për ta zbuluar dhe përvetësuar hapësirën. Kjo i jep siguri në vetvete, kështu që tek ai fillon të zhvillohet pavarësia dhe mëvetësia. Fillon t’i imitojë të rriturit, veprimet e tyre të përditshme, gjestet, sjelljet. Në atë mënyrë fillon të bëjë përpjekje për t’u krehur, veshur, ushqyer. Paralelisht me zhvillimin motorik, zhvillohet edhe të folurit, kështu që në fillim të kësaj periudhe zhvillimore, fëmija thotë disa fjalë me kuptim, dhe në fund ka një fond më të madh fjalësh që i lidh në një fjali të thjeshtë me dy fjalë. Gjithashtu zhvillohet edhe të kuptuarit e të folurit, kështu që nga të kuptuarit dhe realizimi i komandave të thjeshta të të folurit me një fjalë, kalohen te komandat më komplekse dypjesëshe. Verbalizoni aktivitetet që i kryeni me fëmijën, duke e pasuruar kështu fjalorin e tij në të njëjtën kohë, por edhe do ta inkurajoni të kuptuarit e të folurit. 

Aspekti i të folurit dhe aspekti motorik i zhvillimit ndryshojnë me kalimin e kohës në varësi të asaj se kush do të jetë në plan të parë. Disa fëmijë flasin së pari, pastaj ecin dhe anasjelltas. Vini re se cili aspekt dominon tek fëmija Juaj në një moment të caktuar dhe organizoni aktivitetet e tij në përputhje me të. Sigurisht, lini hapësirë për lojë të lirë dhe të pastrukturuar sipas zgjedhjes së tij.

Mënyra më e mirë për fëmijët në këtë moshë për të mësuar është përmes lojës. Krijoni kushte në të cilat mund t’i praktikojnë këto aftësi të vetëndihmës, si dhe kushte në të cilat do t’i përsosin arritjet e tyre motorike. Luani bashkë me ta, ushqejeni arushën dhe lëshoni tinguj sikur ushqimi është shumë i shijshëm. Ngisni karrocat dhe lëshoni tinguj të ndërrimit të shpejtësive, frenimit, tingullit të motorit që punon, etj. Lërini që vetë të bëjnë poligon nga jastëkët, karriget dhe batanijet, ose Ju tregojuni se si ta bëjnë këtë. Lërini të mendojnë se si t’i kapërcejnë pengesat dhe kur t’i mësojnë, bëjuni një sfidë të re për ta.

Ushtrojeni memorien e tyre. Fëmijët në këtë moshë fillojnë më shumë të mbajnë mend dhe më lehtë ta kujtojnë atë që kanë mësuar më parë. Për shembull, e hedhin topin dhe e dinë që ai do të kërcejë. Prisni që ta bëjnë të njëjtën gjë edhe me ushqimin, kukullat, mjetet. Tregojuni se këto gjëra nuk janë për t’u hedhur, nuk kërcejnë si topi dhe nuk luajmë me to në atë mënyrë. Por, kuptojeni edhe momentin e tyre, se nuk bëjnë asgjë me qëllime të këqija, por thjesht kontrollojnë se çfarë mund të kërcejë ende si topi. Jepuni atyre shembuj dhe situata ku mund të ushtrojnë në mënyrë të sigurt atë që kanë mësuar më parë. P.sh.: le të ushqejnë arushën me lugë, nga pjata e zbrazët, thjesht për të ushtruar veprimin. Jepuni atyre sende të përditshme që nuk janë të rrezikshme për ta, për ta kuptuar qëllimin e tyre (krehër, lugë, kuti, syze dielli, kapelë, shami…)

Propozimi i lojërave për stimulimin e aftësive kognitive për këtë periudhë:

      • hedhja e lodrave nga njëra kuti në tjetrën. Kur fëmija do të ecë, vendosni kutitë në distancë më të madhe nga njëra-tjetra
      • lojërat me sfungjer dhe ujë. Tregoni se si ta lag dhe shtrydh sfungjerin me njërën dorë dhe me të dy duart
      • mbledhja e pasurisë – merrni një çantë ose shportë dhe mblidhni gjethe ose guralecë që i pëlqejnë në park
      • luani me hijen
      • loja Treni – lidhni dy ose tri kuti të zbrazëta të këpucëve me litar. Le t’i ngarkojë dhe le ta tërheq trenin. Bëni një dialog, pyeteni se çfarë po bën, ku po shkon, kë po nget, etj., ose jepni urdhër që kë të fusë në vagon (arushën, kukullën…)
      • loja Sendi i fshehur nën gotë – merrni gota plastike, vendosni top nën njërën prej tyre, tregojini ku e keni fshehur dhe ndërroni vendet e gotave. Lë të qëllojë nën cilën gotë është topi
      • në gotë vendosni një copë biskotë (ose ushqim tjetër) dhe jepjani fëmijës për të parë se si mund ta nxjerrë atë (ta fus dorën, ta tund gotën, ta derdh përmbajtjen)
      • lëshoni muzikë dhe krijoni ritëm me sendet që janë të sigurta për t’i goditur me njëri-tjetrin (p.sh.: dy kube, dy lodra plastike, etj.)
      • lexoni së bashku libra me fotografi, lërini hapësirë që t’i shikojë librat edhe vetë. Tregoni se çfarë lexoni në fotografitë dhe kërkoni që edhe ai të tregojë
      • mësojeni përmes lojës kur të thotë Përshëndetje dhe Lamtumirë. Mbulojeni me batanije mbi kokë. Zbulojeni dhe thoni Përshëndetje! Mbulojeni përsëri dhe thoni Lamtumirë! Të njëjtën gjë mund ta bëni edhe me kuti të madhe kartoni, kur të uleni galiç në të thoni Lamtumirë! kur do të drejtohet thoni Përshëndetje!