Fusha – Motorika e lehtë 

Qëllimi i ushtrimit – Renditja e rrathëve dhe unazave në mbajtëse

Zhvillimi i motorikës së lehtë u ndihmon fëmijëve të marrin aftësi se si t’i përdorin pëllëmbët dhe gishtërinjtë për t’i kryer aktivitetet e sakta motorike (të nxënit, të kapurit, të hapurit, të mbyllurit, të prerit, të kopsiturit, të shkruarit). 

Zhvillimi i motorikës së lehtë shqyrtohet nga dy aspekte, njëri është nëse fëmija mund të vendosë kontroll mbi lëvizjen e pëllëmbëve dhe gishtërinjve dhe tjetri nëse fëmija mund të luajë me lodra dhe sende të ndryshme për përdorim të përgjithshëm. 

Mosha – prej një deri në dy vjeç (12 – 24 muaj) 

Kompetencat e fituara paraprakisht:

      • është e nevojshme që fëmija të ulet në mënyrë të pavarur
      • koordinimi i zhvilluar i lëvizjeve të pëllëmbëve dhe gishtave
      • aftësia për të mbajtur vëmendjen për 5 – 10 minuta
      • koordinimi vizuo-motorik

Përshkrimi – Si të fillojmë me aktivitetin?

Para fillimit të këtij ushtrimi, së pari është e nevojshme që fëmijës t’i jepni mundësinë për t’i nxjerr rrathët, unazat nga mbajtësja. Në këtë mënyrë, do ta përgatitni dorën për lëvizjen e gjatë dhe të vazhdueshme të dorës derisa rrethi rrokulliset në mbajtëse. Pastaj vazhdoni me vendosjen, me renditjen e rrathëve përgjatë mbajtëses. Fëmija duhet të marrë rrethin dhe më pas ta vendosë në mbajtësen që qëndron para tij. Së pari fillohet me rrathët me diametër më të madhe, dhe ashtu siç fëmija e zotëron aktivitetin, kështu edhe diametri zvogëlohet. Duhet të jetë gjithmonë interesante për fëmijën, kështu që mund t’i ngjyrosim rrathët me ngjyra të ndryshme, për të qenë kontraste. Mund ta përdorim këtë aktivitet edhe në moshë më të madhe kur fëmijën e ushtrojmë të ndjekë skema, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e të menduarit logjik. Në atë drejtim mund të kërkojmë t’i rendit sipas skemës së ngjyrave, të cilat më parë do t’i kemi vizatuar në letër.

Në drejtim të stimulimit të mëtejshëm të motorikës së lehtë, ky aktivitet mund të bëhet me makarona në fillim të vitit të dytë, kështu që makaronat duhet të jenë më të mëdha, por më pas ashtu siç fëmija e zotëron aktivitetin, madhësia e makaronave mund të zvogëlohet. Shkopinjtë mund të shpohen në sfungjer ose në brumë në mënyrë që të jenë të fiksuar. Së pari do t’i tregoni fëmijës se si t’i bëjë (Ju do të vendosni një makarona në shkop), dhe pastaj do t’i jepni atij për të vazhduar renditjen e makaronave. Lavdërojeni fëmijën pas çdo aktiviteti të kryer në mënyrë korrekte. 

 

Përshtatja e aktivitetit në llojin e ndryshëm të aftësisë së kufizuar:

Përshtatja e aktivitetit për fëmijët me aftësi të kufizuara fizike – fëmijët me aftësi të kufizuara fizike shpesh kanë vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të motorikës së lehtë. Për atë qëllim është e nevojshme përshtatja me materialet e punës. Në rastin e këtij aktiviteti, duhet të fillohet me rrathë më të mëdhenj që futen në mbajtëse më të trashë dhe gradualisht zvogëlohet madhësia e rrathëve. Në mënyrë plotësuese, duhet të sigurohet bazë që do të sigurojë qëndrueshmëri më të madhe të mbajtëses. Një pjesë të madhe të materialeve mund t’i bëni edhe vetë nga materiali i ricikluar. Si propozim mund t’i shihni shembujt si në vijim. 

Përshtatja e aktivitetit për fëmijët me autizëm – aktivitetet që kërkojnë përdorimin e motorikës së lehtë nuk paraqesin problem ose vështirësi për fëmijët me spektër autistik. Por, ajo që duhet të bëni është ta përgatisni fëmijën për aktivitetin që pason. Këtë mund ta njoftoni me ndihmën e kartelës vizuale dhe më pas ta demonstroni aktivitetin disa herë. Hapi tjetër është ta mbani dorën e tij, përkatësisht ta merrni dorën e tij dhe bashkë t’i vendosni rrathët në mbajtëse. 

Përshtatja e aktivitetit për fëmijët me shikim të dëmtuar – tek fëmijët me shikim të dëmtuar, kur ia shpjegoni aktivitetin, është e nevojshme të jepni udhëzime të sakta verbale dhe t’ia mbani (lëvizni) duart e fëmijës gjatë bisedës. Përsëritni hapat e aktivitetit disa herë. Me njërën dorë fëmija duhet të prekë mbajtësen ku duhet të vendosë rrethin dhe me dorën tjetër duhet ta bartë rrethin në mbajtëse. Për këtë aktivitet mund të përdorni edhe rrathë me tekstura të ndryshme.