Ushtrimet grafomotorike sipas moshës

 

Grafomotorika është aftësia për të mbajtur lapsin dhe për të shkruar, përkatësisht aftësia motorike për të shkruar shkronja. Për grafomotorikën më shpesh flitet para se fëmija të shkojë në shkollë. Shumica e fëmijëve i njohin numrat dhe shkronjat para se të shkojnë në shkollë, ndërsa disa madje edhe i shkruajnë ato. Fëmijët e tjerë mësojnë të shkruajnë shkronja në klasën e parë. Zhvillimi i grafomotorikës, përkatësisht aftësive që ajo i përfshin fillojnë nga muaji i 18-të deri në muajin e 24-t dhe zgjasin deri në fillimin e shkollës. Fëmijët e vegjël e shfaqin interesin për lapsin dhe ngjyrat e drurit nga mesi i vitit të parë. Në këtë moshë, e kapin lapsin ose ngjyrën e drurit me tërë dorën e tyre, duke e përdorur shuplakën për të lëvizur ngjyrën e drurit.

Qëllimi i ushtrimit: Stimulimi dhe zhvillimi i grafomotorikës tek fëmijët 

Mosha: 2 – 6 vjeç

Kompetencat e fituara paraprakisht: 

      • kapja e zhvilluar e “piskatores”
      • lëvizshmëria e kyçit të dorës
      • koordinimi sy – dorë
      • vëmendja dhe përqendrimi 

Aktivitetet:

Para fëmijës Tuaj lini ngjyra të drurit dhe një copë letër dhe lëreni që fëmija të kapë vetëm ngjyrën e drurit dhe le të shkarravit. Gjithashtu mund të vendosni miell, rërë, përvëlak në enë më të thellë dhe t’i lejoni fëmija të modelojë.

Në vitin e dytë, fëmija do të fillojë të mbajë ngjyrën e drurit me tre gishta (gishtin e madh, gishtin tregues dhe gishtin e mesëm) duke bërë vija horizontale, vertikale dhe rrethore, por akoma të pasakta. Gjatë kësaj periudhe mund t’i ofroni fëmijës një qese të mbyllur të mbushur me miell, sheqer, kripë ose material tjetër mbi të cilin fëmija do të modelojë. Vizatoni vijë në një copë letër (sipas zgjedhjes Suaj) dhe grisni letrën së bashku me fëmijën dhe ngjiteni atë në vijë.

Mosha: 3 vjeç

Fëmija në moshën tre vjeç e mban ngjyrën e drurit me tre gishta, mund të vizatojë vijë horizontale dhe vertikale dhe rreth. Kur shkruan, e lëviz të gjithë dorën, dhe jo vetëm gishtat. 

Aktivitetet: 

Në një copë letër, vizatoni vija përmes të cilave fëmija me ndihmën Tuaj do të kalojë me gisht ose ndonjë mjet (top, furçë, laps, etj.). Në fillim dhe në fund të vijës mund të ngjitni fotografi ose të vizatoni një personazh të preferuar dhe mund ta paraqisni lëvizjen si rrugë për të shkuar nga njëri skaj në tjetrin. Pastaj, nga kartoni, mund të bëni shablone për vizatimin e vijave përmes të cilave fëmija do të jetë në gjendje të kalojë me gishta, ta ngjyros pjesën e brendshme ose të kalojë me ngjyra druri. Për të ushtruar vija të caktuara, mund të bëni shembuj sikurse ato në fotografinë e kartonit, me ndihmën e të cilit do të kufizohet lëvizja e dorës së fëmijës në formën e vijës së caktuar dhe në atë mënyrë do të mësohet dhe praktikohet memoria “muskulore” për lëvizjen në vijë të caktuar. Përdorni mjete më të trasha për të shkruar që janë më të lehta për t’u mbajtur. Me fëmijën punoni dorë për dore.

Mosha: 4 – 6 vjeç 

Në moshën prej 4 deri në 6 vjeç, mbajtja e mjetit për të shkruar (lapsit, ngjyrës së drurit, etj.) bëhet e saktë, me majat e gishtërinjve (gishti i madh, gishti tregues dhe gishti i mesëm) dhe fëmija mund të vizatojë katror, ​shenjën ​plus, numrat dhe shkronjat, trekëndësh. 

Aktivitetet:

Vizatimi me gishta në miell ose rërë. Vendosni miell, oriz ose kripë në një enë të gjerë plastike në mënyrë që fëmija të mund të vizatojë vija (shkronja, numra) sipas modelit të dhënë. Ushtrimi mund të kryhet me gishta ose me ndihmën e furçës, shkopit etj.

Kaloni nëpër pengesa, të tilla si topat ose kunjat. Fëmija le të kalojë përmes tyre me ngjyrë druri.

Mbi një copë letër, vizatoni vija, forma, shkronja ose numra të formave ose madhësive të ndryshme. Fëmija me ngjyrë druri le të kalojë sipër tyre. Mund të përdorni edhe plastelinë për të formuar shkronja, numra ose vija nga plastelina.

Me ushtrimin, përmes aktiviteteve të ndryshme, fëmija do të arrijë në fazën kur mbajtja e mjetit për të shkruar nuk do të jetë problem për të dhe atëherë do të jetë gati për materialet e tjera grafomotorike, siç janë librat për t’u ngjyrosur. Gjëja më e rëndësishme në këtë periudhë është të mbështesni fëmijën gjatë aktiviteteve dhe ta inkurajoni të bëjë kërkime të pavarura. Jini kreativ gjatë aktiviteteve dhe gjithmonë shpërblejeni fëmijën Tuaj për punën e kryer me sukses. 

Refuzimi i vizatimit dhe shkrimit:

Arsyeja më e zakonshme pse fëmijët i refuzojnë aktivitetet për të vizatuar dhe shkruar është për shkak të vështirësive me të cilat përballen, aftësisë së lehtë motorike të zhvilluar pamjaftueshëm, koordinimit sy – dorë, vëmendjes dhe përqendrimit të pamjaftueshëm. Mos e detyroni fëmijën, grafomotorika është aftësia që zhvillohet dhe praktikohet. Me ndihmën tuaj edhe aktivitetet kreative fëmija do t’i tejkalojë të gjitha pengesat. 

Përshtatja për tipin e ndryshëm të aftësisë së kufizuar:

Përshtatja e aktiviteteve për fëmijën me autizëm:

Para fillimit të aktiviteteve për grafomotorikë me fëmijët me autizëm, duhet pasur kujdes që aktivitetet të jenë interesante. Të njëjtat ushtrime grafomotorike mund të kryhen me këta fëmijë, si edhe me fëmijët me zhvillim tipik, por kini kujdes që t’i dozoni ushtrimet në përputhje me mundësitë e tyre për të mbajtur vëmendjen. Gjithashtu mund ta merrni fëmijën në prehër derisa qëndroni ulur në dysheme dhe t’i lejoni t’ju përcjellë se si punoni. Me kalimin e kohës, do të fillojë t’ju imitojë. Nëse është e nevojshme, gjeni mënyrë për ta provokuar të fillojë bashkëpunimin, ndiqeni atë dhe shikoni se çfarë do t’ia tërheqë vëmendjen. Përdorni gjithashtu aktivitetet dhe lodrat e preferuara të fëmijës si motivues që fëmija do t’i marrë pasi t’i ketë përfunduar ushtrimet grafomotorike. Kur punoni me fëmijën me autizëm, është e rëndësishme të bëni një aktivitet derisa të përsoset, përkatësisht të mos fusni aktivitete të shumta në të njëjtën kohë.

Përshtatja e aktiviteteve për fëmijën me aftësi të kufizuara fizike:

Fëmijët me aftësi të kufizuara fizike kanë shumë probleme me ushtrimet grafomotorike. Aktivitetet grafomotorike duhet të përgatiten dhe të përshtaten në lidhje me potencialet dhe mundësitë e fëmijës. Natyrisht, është e nevojshme të përshtatet qasja ndaj punës. Gjatë ushtrimeve, fëmija mund të ketë nevojë të ndihmohet vazhdimisht, duke përdorur teknikën “dorë për dorë” ose “dorë nën dorë”. Mund të përfshini edhe teknologji ndihmëse dhe mjete ndihmëse që mund t’i bëni vetë në shtëpi. Nëse fëmija nuk mund ta mbajë ngjyrën e drurit, merrni kapëse që do ta vendosni në ngjyrën e drurit dhe do t’ia forconi në dorë. Mund të merrni çorape në të cilën do të bëni 2 vrima përmes të cilave do të dalin gishti i madh dhe gishti tregues. Mund të përdorni llastik për të vendosur dhe forcuar lapsin në dorë.

Përshtatja e aktiviteteve për fëmijën me shikim të dëmtuar

Fëmijët me shikim të dëmtuar mësojnë përmes shqisës së të prekurit, por mbani në mend edhe nevojën për të shfrytëzuar në maksimum mbetjet e shikimit. Prandaj, është më mirë të bëni tabela në të cilat do të paraqiten, për shembull, vijat, shkronjat, numrat dhe fëmija do të hulumtojë dhe mësojë në mënyrë taktile. Përdorni forma ose sende me konture të formësuara mirë në mënyrë taktile. Drejtojeni dorën e fëmijës gjatë aktivitetit, përdoreni teknikën “dorë nën dorë” ose “dorë për dorë”. Për personat me shikim të dobët, përdorni ngjyra të forta dhe kontraste, në mënyrë shtesë përdorni edhe thjerrë. Kur punoni me fëmijën, gjithmonë verbalizoni veprimin dhe drejtojeni atë në hapësirë (lart, poshtë, majtas, djathtas). 

Përshtatja e aktiviteteve për fëmijën me dëgjim të dëmtuar

Aktivitetet grafomotorike te fëmijët me dëgjim të dëmtuar janë të njëjta si edhe te fëmijët me zhvillim tipik. Procesi i të mësuarit zhvillohet në përputhje me moshën e fëmijës dhe aftësinë e tij intelektuale.