Zhvillimi motorik i secilit fëmijë është momenti më i rëndësishëm për të arritur një individ funksional të pavarur që nuk do të varet nga një person tjetër dhe do të jetë në gjendje t’i kryejë obligimet dhe detyrat e përditshme. Zhvillimi i ekuilibruar motorik lidhet dhe ndikon drejtpërdrejt në fusha të tjera të zhvillimit, të tilla si zhvillimi i të folurit, zhvillimi kognitiv, aftësia sociale dhe zhvillimi emocional (p.sh.: foshnjat, kur mësojnë të zvarriten ose të ecin, e rrisin aftësinë e tyre për ta eksploruar hapësirën, dhe kështu e stimulojnë edhe zhvillimin e tyre kognitiv). 

Fusha – Motorika e përgjithshme

Qëllimi i ushtrimit – Ngjitja dhe zbritja e shkallëve me hapa alternativë, reciprokë

Ngjitjen dhe zbritjen e shkallëve mund ta lidhim me ecjen në terren jo të rrafshët. Fëmija duhet të mësojë se jo gjithmonë do të lëvizë në rrugë të sheshtë, rrugë pa pengesa dhe të ngjashme. 

Mosha – Nga viti i dytë deri në vitin e tretë (24 – 36 muaj)

Kompetencat e fituara paraprakisht:

      • të ketë të zhvilluar përdorimin e të dyja duarve në të njëjtën kohë (në disa raste kur fëmija do të ngjitet në shkallë që do të mbahet me të dyja duart)
      • ekuilibri i zhvilluar mirë i trupit
      • të ketë të zhvilluara aftësi motorike (ecja, gjunjëzimi, qëndrimi në gishtërinjtë e njërës këmbë)
      • të ngjitet dhe të zbresë në shkallë duke i vendosur të dyja këmbët në të njëjtën kohë dhe me mbajtje
      • të dijë të zvarritet në shkallë dhe të ndalet me të dyja këmbët

 

Përshkrimi – Si t’i ndihmojmë fëmijës të arrijë qëllimin e ngjitjes / zbritjes së shkallëve? 

Në mënyrë që një fëmijë të fillojë të ngjitet në shkallë në mënyrë të pavarur, duhet të jetë mjaft i gatshëm edhe në aspektin motorik, edhe mendor. Para së gjithash, fëmija duhet të jetë plotësisht i relaksuar dhe pa frikë ta arrijë qëllimin për ta kryer atë aktivitet. 

Qysh nga mosha më e hershme, përkatësisht nga procesi kur fëmija do të fillojë të zvarritet, duhet t’i lejojmë të ngjitet dhe të zbresë nga sendet që janë më të larta se sipërfaqja në të cilën është mësuar të zvarritet. T’i lejojmë të eksplorojë terrenin i cili do të jetë plot me pengesa ku duhet të përdorë më shumë forcë, teknikë të ngjitjes dhe shkathtësi. 

Kur fëmija do të fillojë të lëvizë dhe ta eksplorojë hapësirën, rekomandohet që prindërit, në të njëjtën kohë me atë proces, të fillojnë ta përgatisin fëmijën për procesin e ngjitjes dhe zbritjes së shkallëve. Si fillim, mund të përdoret sipërfaqja e butë, zakonisht bari ku do të vendoset një shkallë, dhe pastaj me ndihmën e prindit duke e mbajtur me njërën dorë ta kalojë shkallën dhe të dalë në anën tjetër. Si fillim përdorim një sipërfaqe të butë për ta zvogëluar lëndimin, por edhe frikën, nëse ndodhë të rrëzohet, kjo do të jetë e lehtë. 

Pasi praktikoni ngjitjen dhe zbritjen për një kohë të gjatë të shkallëve, shtohen edhe disa shkallë në mënyrë që fëmija të mësojë se shkallët në fakt janë një zinxhir pengesash që duhen të tejkalohen për të arritur në hapësirën e dëshiruar. Pastaj, kur nuk do të ketë më probleme me ngjitjen e pengesave në terren të rrafshët, do të filloni të ngjiteni në 4,5 shkallë njëra pas tjetrës. Sidoqoftë, në fillim shkallët nuk duhet të jenë shumë të larta dhe shumë të ngushta, sepse kjo do të shkaktojë një dozë pasigurie tek fëmija. 

Lëvizja fillestare është me mbështetjen e një personi tjetër për të shkelur në një shkallë në të njëjtën kohë me të dyja këmbët. Fëmija, gjithashtu, mund të lejohet të ngjitet anash në shkallët, por me të dyja duart për t’u mbajtur në mënyrë të pavarur. Pasi fëmija ka praktikuar këtë mënyrë të ngjitjes dhe zbritjes për një kohë të gjatë, bëhet më e sigurt dhe mund të stimulohet të ngjitet dhe të zbresë shkallët me hapa alternativë. Për atë qëllim, këmbët me ngjyra mund të vizatohen në shkallët, p.sh.: këmba e djathtë të jetë me ngjyrë të kuqe dhe këmba e majtë me ngjyrë të verdhë. Për të stimuluar fëmijën që të ngjitet në të kuqe – të verdhë, të kuqe – të verdhë… Gjithashtu mund të vendoset një afishe e kuqe në këmbën e djathtë të fëmijës, dhe një të verdhë në të majtën. Ose të vendosen lidhëse të kuqe dhe të verdha.

Zotërimi i zbritjes është më i vështirë për fëmijën, sepse kërkon më shumë kontroll të trupit dhe aftësinë për të mbajtur ekuilibrin, koordinimin e lëvizjeve të duarve dhe këmbëve dhe zbritja teposhtë duket “më e frikshme”.

Përshtatja për llojin e ndryshëm të aftësisë së kufizuar: 

  • Stimulimi i ngjitjes dhe zbritjes tek fëmijët me autizëm
      • tek fëmijët me autizëm nuk priten vështirësi shtesë në zotërimin e kësaj aftësie dhe mbështetja për ta është e njëjtë sikurse edhe tek fëmijët me zhvillim tipik. Vihet re se një nga aktivitetet që e duan fëmijët me autizëm është ngjitja e shkallëve për një distancë të shkurtër
  • Stimulimi i ngjitjes dhe zbritjes tek fëmijët me aftësi të kufizuara trupore
      • në varësi të asaj se për çfarë aftësie të kufizuar trupore bëhet fjalë (deformimi i lindur i trupit, paraliza cerebrale, sindroma të tjera që çojnë në invaliditet trupor), bëhet një plan i veçantë i punës me atë fëmijë. Nëse është deformim i lindur, fëmija do të ketë probleme në mbajtjen e ekuilibrit të trupit, kështu që do të kishte probleme në ngjitjen dhe zbritjen e shkallëve. Nga ana tjetër, nëse bëhet fjalë për fëmijë me paralizë cerebrale (PC), duhet të kihet parasysh se kjo gjendje ka nënlloje, me secilin nënlloj që shfaqet ndryshe. Një simptomë tjetër e zakonshme është shfaqja e aftësisë së kufizuar intelektuale. Prandaj, kjo fazë e zhvillimit motorik (fëmija mund të ngjitet dhe të zbresë shkallët në mënyrë të pavarur) mund të jetë më e vështirë për t’u arritur
  • Paraliza cerebrale spastike
      • ndodh në 90% të rasteve dhe klasifikohet si forma më e zakonshme. Në këtë lloj të PC-së kemi tonusin e rritur të muskujve, kështu që lëvizjet në duar dhe këmbë janë të vështira. Përfshirja mund të shfaqet në ekstremitetet e sipërme dhe të poshtme në të njëjtën kohë ose në njërën anë të trupit. Fëmijët me këtë lloj të PC-së kanë nevojë për mbështetje afatgjate, të vazhdueshme dhe durim nga prindërit e tyre në arritjen e fazave të zhvillimit motorik. Mjete të ndryshme ndihmëse mund të përdoren për të mbështetur fëmijën që ngjitet shkallëve, të tilla si p.sh.: (llastiku, rripi) që i vendosëm në bel për të fituar siguri, paterica që fëmija do të përdorë në fillim derisa të jetë i sigurt se mund të ngjitet dhe të zbresë shkallët vetë. Sidoqoftë, po flasim për aktivitet më kompleks të motorikës së përgjithshme, kështu që ndonjëherë duhet të provohen më shumë mënyra për të dhënë mbështetje. Para se të mësojmë këtë aktivitet, duhet të kthehemi në fazat motorike të zhvillimit dhe të përqendrohemi në ushtrimet e ekuilibrit, forcimin e muskulaturës lumbale dhe paravertebrale, forcimin e aparatit vestibular (që lidhet drejtpërdrejt me ekuilibrin), zhvillimin e aftësisë së fëmijës që të ngjitet dhe zbresë nga sendet e ndryshme dhe zhvillimin për të ecur në sipërfaqe të sheshtë (e cila duhet të jetë ecje e sigurt / e qëndrueshme). Gjithashtu, shkallët që ekzistojnë në shtëpinë ku jeton fëmija mund të modifikohen, përkatësisht mbështetësja anësore (gelenderi) të jetë në një nivel më të ulët, shkallët mos të jenë shumë të larta, sipërfaqja mbi të cilën fëmija shkel të jetë më e butë, përkatësisht të veprojë si amortizim
  • Paraliza cerebrale ataksike
      • në 5-10% të rasteve shfaqet kjo formë e PC-së. Në këtë formë të PC-së ka një koordinim të dobët midis ekuilibrit të trupit dhe lëvizjeve muskulore. Ekziston një rënie në tonusin e muskujve. Ashtu si fëmijët me llojin e mëparshëm të PC-së, edhe këta fëmijë kanë nevojë për mbështetje afatgjate, të vazhdueshme dhe durim nga prindërit e tyre në arritjen e fazave të zhvillimit motorik. Për të kryer aktivitetin për të cilin po flasim, theksi duhet të vihet në ushtrimet e ekuilibrit në mënyrë që të ndikojë në marrëdhëniet me lëvizjet e muskujve. Është një formë më e lehtë e PC-së që lidhet kryesisht me vështirësitë në kryerjen e aktiviteteve që lidhen me motorikën e lehtë. Diagnoza vendoset zakonisht në moshën 18-muajshe
  • Paraliza cerebrale ateteoide
      • ky lloj i PC-së karakterizohet me tonusin e rritur dhe të zvogëluar të muskujve, sepse kemi dëmtim të pjesës së trurit të ngarkuar për mbajtjen e tonusit muskulor. Është e ndarë në koreoatetoide dhe distonike. Forma e parë karakterizohet nga lëvizje të padëshiruara kryesisht në fytyrë dhe gjymtyrë, ndërsa forma e dyta karakterizohet nga kontraksionet e ngadalta, të forta që ndodhin në nivel lokal ose në të gjithë trupin. PC ateteoide së bashku me kuadriplegjinë spastike janë një nga llojet më të vështira të PC-së dhe kemi një vonesë të gjatë në zhvillimin motorik, sepse dëmtimi i trurit është më i madh dhe përfshihen segmente kryesore, siç janë ganglionet bazale (përgjegjëse për lëvizjet e vullnetshme dhe lëvizjet e syve), cerebelumi – truri i vogël (përgjegjës për ekuilibrin, koordinimin)
  • Stimulimi i ngjitjes dhe zbritjes tek fëmijët me dëmtimin e shikimit
      • nëse është rasti i dëmtimit të shikimit, së pari duhet të shohim se cila është shkalla e humbjes së shikimit. Fëmijët plotësisht të verbër kanë nevojë për shumë punë dhe këmbëngulje në mënyrë që të bëhen të pavarur dhe të kryejnë këtë lloj të aktivitetit me ndihmën e shkopit të bardhë. Nga ana tjetër, nëse bëhet fjalë për dëmtime më pak serioze të shikimit, qoftë në njërin sy, qoftë në tjetrin, fazat e zhvillimit motorik zhvillohen gradualisht me theks në ushtrimet e ekuilibrit. Gjithashtu, mund të përdoren shirita me ngjyra të ndezura që do të vendosen në shkallët dhe që do të zgjojnë interesin e fëmijës që të ngjitet. Ngjitëset ose gjurmët taktile mund të vendosen në shkallët për të bërë më të lehtë për fëmijën për të vënë këmbën e tij në shkallët. Shenja auditive, tingulli me ritmin e duartrokitjeve ose me këngë mund të përdoren për të inkurajuar fëmijën të ecë lart e poshtë shkallëve me hapa alternativë
  • Stimulimi i ngjitjes dhe zbritjes tek fëmijët me dëmtim të dëgjimit
      • tek fëmijët me dëmtim të dëgjimit nuk priten vështirësi shtesë në zotërimin e kësaj aftësie dhe mbështetja për ta është e njëjtë sikurse edhe me fëmijët me zhvillimin tipik