Shumë prindër janë të njohur me nocionin tantrumet e fëmijëve, veçanërisht kur për shkak të një “lëpirëse” fëmija mund të qajë, të bërtasë dhe të ngjashme dhe e gjithë kjo shpesh ndodh në publik. Gjatë tantrumit fëmija shfaq një shpërthim të tërbuar të pakontrolluar, të shoqëruar me hedhjen në dysheme, të qara dhe të bërtitura, duke goditur kokën, duke tundur duart dhe këmbët, duke hedhur sende dhe duke i shkelur me këmbë, etj.

Tantrumet zakonisht shfaqen pas vitit të parë dhe janë më të theksuara rreth moshës 2,5 – 3 vjeç. Disa fëmijë e tejkalojnë atë, por tek disa mbetet në formë të caktuar në një moshë më të vonë. Gjatë kësaj periudhe krize në fëmijërinë e hershme, tantrumet mund të ndodhin menjëherë dhe disa herë në ditë. Tantrumet shfaqen tek fëmijët kur irritohen ose zemërohen nga një dëshirë e paplotësuar nga të rriturit dhe vërehet se sa më shumë vëmendje u kushtohet situatave të tilla, aq më shumë ato intensifikohen. 

Irritimi dhe zemërimi mund të jenë rezultat i:

      • pamundësisë së fëmijës për të shprehur me gojë pakënaqësinë e tij
      • mënyrës për të tërhequr vëmendjen
      • shkakut të natyrës fiziologjike siç janë lodhja, uria, shërimi nga sëmundja
      • nëse për momentin largohet nga loja në të cilën kënaqet për shkak të ndonjë aktiviteti tjetër
      • mbrojtjes së tepërt të fëmijës nga prindërit dhe qëndrimi i pazhvilluar ndaj veprimeve të tij, qofshin pozitive ose negative
      • stilit të ndryshëm të edukimit tek prindërit dhe kujdestarët e tjerë
      • marrëdhënies së të rriturve, përkatësisht është i mësuar të marrë gjithçka që dëshiron dhe t’i lejohet gjithçka (nuk di për “jo”)

Ajo që është karakteristike edhe për tantrumet është se ato janë të pavullnetshme dhe janë rezultat i përballjes së vështirë të fëmijës me emocionet e tij. Në një situatë të tillë fëmija nuk reagon ndaj fjalëve të prindërve dhe përpjekjeve për ta qetësuar.

Tantrumet e rrejshme përkundër tantrumeve të vërteta

Të rrejshme janë kur:

        • vini re që fëmija që bërtet dhe qanë, hidhet në dysheme dhe bën me duar / këmbë në të gjitha drejtimet, ju dëgjon dhe kupton derisa i drejtoheni
        • kur përmend dënimin ose kushtëzimin me diçka të rëndësishme për të, qetësohet menjëherë
        • kur manifeston tantrumin, tregon gatishmëri për marrëveshje
        • nëse në atë moment arrini t’ia devijoni vëmendjen dhe të filloni të flisni për diçka tjetër

Tantrumet e vërteta janë shumë më demonstrative:

        • në atë moment fëmija as nuk ju dëgjon dhe as nuk kupton çfarë i thoni
        • nuk qetësohet edhe nëse jeni dakord ta përmbushni kërkesën e tij
        • sjellja është një përpjekje për të dëmtuar veten, juve, dikë tjetër ose për të thyer diçka
        • nuk është në gjendje për t’i kontrolluar lëvizjet e tij
        • të folurit (nëse ka në gjendje të tillë) është i palidhur

Si të shmangen ose të zvogëlohen tantrumet tek fëmija

      • mendoni pse fëmija Juaj u sulmua; cili është roli Juaj në këtë; si u zgjidh dhe si përfundoi situata; si u qetësua; çfarë bëtë Ju për t’u qetësuar, etj.
      • merrni parasysh nëse rutinat janë në kohë dhe nëse fëmija e di se çfarë pritet në familje, nëse ka nevojë për t’i ndryshuar rutinat dhe si
      • të shkruarit e ditarit mbi tantrumet, për shembull, mund të ndihmojë në identifikimin e shkaqeve dhe të hasurit më efektiv të tyre
      • mundohuni të kuptoni dhe të dini se cila gjendje tregon një tantrum të mundshëm, përpiquni ta shpërqendroni fëmijën Tuaj në atë moment, p.sh.: duke i treguar diçka dhe duke trilluar ndonjë rrëfim të shkurtër për atë gjë
      • lejoni që fëmija të ketë të drejtë të zgjedhjes (p.sh. të zgjedhë se ku dëshiron ta dërgoni për shëtitje)
      • shmangni udhëzimet e drejtpërdrejta, ofroni alternativë, p.sh.: në vend të “Vishe fanellën blu”, thoni me “A dëshiron të veshësh fanellën blu apo të kuqe?”
      • mundohuni të respektoni rregullat e edukimit me prindin tjetër, gjyshërit. Nëse njëri thotë “jo”, të tjerët duhet ta ndjekin të njëjtin rregull. Në atë mënyrë, shprehja e zemërimit si metodë për të marrë atë që dëshiron do të fillojë të humbasë intensitetin
      • mos bëni për të atë që mund të bëjë vetëm për moshën e tij
      • kur keni ndërmend ta ndërprisni fëmijën në atë që për momentin merret, përgatiteni për atë paraprakisht, p.sh.: Derisa është duke luajtur, njoftojeni që dreka është gati brenda një kohe të shkurtër, në mënyrë që të dijë se duhet ta përfundojë lojën së shpejti
      • përdorni fjali të shkurtra kur i drejtoheni fëmijës tuaj. Jepni detyra që mund t’i kryejë dhe bëjini ato argëtuese
      • njoftojeni fëmijën për atë që vijon, p.sh.: tani do të shkojmë në park dhe më pas në dyqan, ose lejoni të bini dakord për orarin e aktiviteteve së bashku

Çka në situatën kur fëmija ka tantrume në publik

Prindërit shpesh mbeten të befasuar dhe nuk janë gjithmonë të gatshëm për t’u përballur me sulmet e zemërimit të fëmijës së tyre në publik. Në atë moment, dorëzimi dhe plotësimi i kërkesës së tij vetëm për të ndaluar dhe qetësuar nuk do ta zgjidhë problemin përgjithmonë, përkundrazi do t’i japë mbështetje.

Çfarë do të ndihmonte nëse fëmija do të kishte tantrume në publik:

      • në situata të tilla është e rëndësishme që prindërit të jenë të qetë, duke i kontrolluar emocionet e tyre dhe duke e injoruar faktin që sytë e të tjerëve janë të drejtuar tek ta
      • jepini fëmijës hapësirë për t’u qetësuar, tek fëmija pak më i madh mbase mund të jeni në gjendje të largoheni anash për një kohë të shkurtër, ndërsa fëmijën e vogël mos e lini vetëm. Disa fëmijë kanë nevojë për përqafim në atë moment, pyesni fëmijën tuaj nëse dëshiron ta përqafoni atë ose të presë
      • mos u mundoni me forcë të krijoni kontakt me sy dhe mos e mbani fort, përveç nëse ekziston mundësia e dëmtimit të vetes ose dikujt tjetër
      • mos e ndëshkoni fizikisht fëmijën (mos e godisni) dhe mos e kërcënoni që do ta rrahni nëse nuk ndalet
      • përdorni disa fjalë dhe drejtojuni fëmijës me një ton të qetë. Mos i bërtisni fëmijës. Në atë moment vetëm mund ta përkeqësoni situatën – të fillojë të bërtasë edhe më shumë sepse kjo ndikon tek ai në mënyrë kërcënuese
      • mbajeni të qetë të folurit tuaj, p.sh.: uluni në dysheme pranë tij në mënyrë që të të shohë si mbështetje në vend të kërcënimit
      • nëse është e mundur, merreni fëmijën në krahë dhe tërhiquni në një vend ku nuk do t’ua tërheqë vëmendjen e njerëzve përreth tij (publiku është vetëm një përforcues i tantrumeve)
      • kur stuhia e emocioneve qetësohet, fëmija zakonisht është i gatshëm të kontaktojë me Ju. Përfitoni nga ai moment. Përqafojeni dhe lëreni të qetësohet dhe tregojini se ju jeni këtu për të. Në atë moment, mos e kritikoni dhe mos i thoni se si duhet dhe si nuk duhet të sillet
      • pasi fëmija të qetësohet, flisni për atë që ka ndodhur, mos e fajësoni atë. Jepini një shembull se si mund të sillet herën tjetër. Për shembull, mund të flisni në një situatë tjetër, kur luani së bashku, gatuani ose bëni diçka tjetër

Është e kuptueshme që për një prind situatat e tilla janë shumë të vështira, të lodhshme dhe stresuese, gjithashtu mund të shkaktojnë edhe ndjenja zemërimi, pafuqie, turpi dhe faji. Nuk është e lehtë dhe është sfiduese të mbash durimin dhe të kontrollosh emocionet në ato momente. 

Mundohuni të qetësoni veten në mënyrë që të mund t’i ndihmoni fëmijës tuaj.