Fusha: Vetëshërbimi – pavarësia në të ngrënë 

Qëllimi i ushtrimit: Zhvillimi i pavarësisë tek fëmijët gjatë ngrënies 

Si edhe zotërimi i aftësive të tjera të kujdesit për veten, ashtu edhe pavarësia e fëmijëve gjatë ngrënies e ndërton vetëbesimin e fëmijës dhe i jep ndjenjën që mund të kujdeset vetë për veten e tij.  

Këto aktivitete kryhen nga të rriturit automatikisht dhe shpejt, por disa fëmijëve u duhet ushtrim dhe kohë më e gjatë për t’i kryer ato në mënyrë të pavarur. Prandaj është e rëndësishme të filloni me pavarësinë në ngrënie sa më shpejt të jetë e mundur. 

Mosha: nga viti i parë e tutje

Kompetencat e fituara paraprakisht:

Fëmija duhet të ketë të zhvilluar aftësi të konsiderueshme motorike para se të fillojë të ushqehet vetë. Motorika e lehtë dhe e përgjithshme e zhvilluar mirë, koordinimi vizual-motorik, vëmendja dhe përqendrimi, përkatësisht fëmija duhet të jetë në gjendje të ulet në karrige, të kap me gishta dhe të mbajë vëmendjen për të paktën 5 minuta.

Çfarë paraqet pavarësia në të ngrënë?

Ngrënia e pavarur është kur fëmijët ushqehen me ndihmën e gishtave, takëmit dhe përdorin lloje të ndryshme gotash. Ky është procesi i marrjes së ushqimit nga pjata, sjellja e ushqimit ose lëngut nga pjata ose gota në gojën e tyre, vendosja e ushqimit në gojë, përtypja dhe gëlltitja e tij. 

Pse është me rëndësi ngrënia e pavarur?

Ngrënia e pavarur u mundëson fëmijëve t’i zhvillojnë aftësitë senzore, hulumtimin e shijes së ushqimit, teksturën, aromën, ngjyrën. Kur fëmija e kontrollon marrjen e ushqimit, ai mëson të përshtatet me shenjat natyrore të urisë dhe të ndalojë së ngrëni kur është i ngopur, gjë që është një aftësi e rëndësishme për jetën. 

Kur fëmija do të fillojë të hajë i pavarur?

Foshnjat zakonisht rreth moshës 9-12 muajsh shfaqin interes për pavarësinë në ngrënie, megjithëse kjo mund të ndryshojë në varësi të zhvillimit të tyre. Kur vëreni se fëmija Juaj kap lugë, enë ose ushqimin në pjatën Tuaj, kjo është shenjë se është gati të përpiqet të ushqehet i pavarur. Disa foshnja do të kenë nevojë për më shumë kohë për t’i zhvilluar aftësitë e tyre për të ngrënë të pavarur, veçanërisht pasi mësojnë të kapin me gishtin e madh dhe gishtin tregues (piskatore) për të mbledhur copa të vogla të ushqimit. Shumica e fëmijëve nuk do të mësojnë të ushqehen siç duhet vetë derisa të bëhen 18 – 24 muajsh. Të tjerët edhe deri në vitin e tretë mund të hanë jo siç duhet.

Përshkrimi: 

Çdo fëmijë është i ndryshëm dhe në mënyrë të ndryshme dhe në kohë të ndryshme do t’i zhvillojë aftësitë për t’u ushqyer i pavarur. Prandaj, përdoreni tabelën e mëposhtme si orientim se çfarë duhet të ushtroni me fëmijën Tuaj.

Mosha Aktivitetet gjatë ngrënies
Një vjeç Fëmija ha ushqim të butë vetë me gishta, përpiqet të hajë me lugë, por në mënyrë jo të drejtë.
Dy deri në tre vjeç Mund të hajë me ndihmën e lugës. Kap copa të vogla të ushqimit me gishta. Tregon se çfarë dëshiron dhe çfarë nuk dëshiron. Refuzon ushqim të caktuar. 
Tre deri në katër vjeç I pavarur ha me lugë, por akoma në mënyrë jo të drejtë. Mund të hajë vetëm ushqime më të forta (biskota, smoki, fruta).
Katër deri në pesë vjeç I pavarur ha në tryezë bashkë me familjen e tij. Mund të hajë edhe me pirun. 
Më shumë se pesë vjeç Ushqehet i pavarur. Përdorë pirun dhe lugë gjatë ushqimit. 

 

Si mundemi t’i ndihmojmë fëmijës që të hajë vetë? 

Së pari, para fillimit të këtij procesi, duhet të merret parasysh niveli i zhvillimit të motorikës së përgjithshme dhe të lehtë. Zhvillimi i pavarësisë së të ushqyerit shkon paralelisht me zhvillimin e aftësive motorike. Pastaj vjen hapi i dytë, i cili është përdorimi i duarve për të lëvizur ushqimin në gojë. Inkurajoni këtë duke vendosur disa copa të vogla të ushqimit në dorën e tij. Pasi të ketë lëvizur me sukses ushqimin me të gjithë grushtin në gojë, ngadalë fillohet të stimuloni përdorimin e gishtit të madh dhe gishtit tregues. 

Të ushqyerit në mënyrë të pavarur: 

      • fëmija le të ulet në karrigë ushqimi dhe në të vendosni pak ushqim të fortë (smoki, biskota, copë bukë). Fëmija do të jetë në gjendje ta marrë atë dhe ta vendosë në gojë
      • hani bashkë me fëmijën Tuaj. Ai le t’ju shikojë dhe le t’ju imitojë.  

Përdorimi i takëmit të ushqimit

Asnjëherë nuk është herët që fëmija Juaj të fillojë të përdorë takëm! Derisa luani, krijoni kushte që të luajë duke e ushqyer ariun e tij, kukullën me lugë ose gjatë ngrënies, jepini lugë dhe lëreni ta eksplorojë ushqimin vetë. Lejoni që fëmija të marrë vetë ushqim nga pjata. Mos u shqetësoni për rrëmujat! Gjithashtu, mendoni të përdorni 2 lugë gjatë shujtës – një për fëmijën dhe një për Ju.

Të mësuarit për të marrë ushqimin dhe për ta sjellë në gojë mund të kërkojë kohë, prandaj mos harroni që të jeni të durueshëm gjatë ngrënies!

Të ngrënit në mënyrë të pavarur

Kur fëmija Juaj ka mësuar të hajë vetë me gishta dhe lugë, vazhdoni të stimuloni përdorimin e takëmeve të tjera dhe përvetësimin e shprehive gjatë të ngrënit:

      • Lëreni fëmijën të vendosë se çfarë dëshiron të hajë dhe sa kohë dëshiron të shpenzojë duke ngrënë. Nëse i lejoni fëmijës Tuaj për të marrë vendime për shujtat, kjo do t’i japë ndjenjën e pavarësisë.
      • Mos lejoni që fëmija të ulet para televizionit, kompjuterit, celularit gjatë ngrënies. Derisa han, le të ulet bashkë me ju në tryezë, por as Ju mos shikoni në celular, televizion… 
      • Ofroni ushqim të ri fëmijës Tuaj. Ofrimi i vazhdueshëm i ushqimit të ri dhe të prezantuar ndryshe do ta ekspozojë ndaj aromave dhe teksturave të reja. Dhënia e gjërave të larmishme fëmijës, mund ta bëjë kohën e shujtës interesante.
      • Nëse fëmija ka vëllezër ose motra më të mëdhenj, mundësoni që të ulet në shujtat me vëllanë ose motrën më të madhe. Kjo do t’i mundësojë fëmijës që ta imitojë dhe t’i mësojë prej tyre mënyrat e sjelljes në tryezë. Gjëja më e rëndësishme është që të keni durim kur e mësoni fëmijën të hajë vetë. Përqendrohuni në aftësitë që fëmija Juaj i përvetëson, dhe jo në rrëmujën që shfaqet me përvetësimin e këtyre aftësive.

Përshtatja për llojin e ndryshëm të aftësisë së kufizuar

Përvetësimi i aftësive të ushqyerjes së pavarur tek fëmijët me zhvillim jotipik mund të jetë një proces mjaft kompleks. Ndonjëherë fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të kapërcejnë sfida specifike në përvetësimin e pavarësisë në të ushqyerit. Para fillimit të stimulimit të aktiviteteve, duhet punuar në zhvillimin e koordinimit motorik, koordinimin vizuo-motorik, vëmendjen dhe përqendrimin. 

Zhvillimi i aftësive të të ushqyerit në mënyrë të pavarur tek fëmijët me autizëm

Problemet më të zakonshme që i kanë fëmijët me autizëm në lidhje me të ushqyerit janë selektiviteti, zgjedhja në të ushqyerit dhe shmangia e llojeve të reja të ushqimit. Shumë prej këtyre fëmijëve kanë reagime veçanërisht të forta ndaj shfaqjes së ushqimit. Për shembull, disa fëmijë refuzojnë ushqimin në ngjyrë të caktuar. Të tjerët kanë qëndrim ekstrem nga prekja e llojeve të caktuara të frutave, sepse duken “të lagura”. Disa prej tyre gjatë jetës së tyre duhet të hanë ushqime pa gluten. Të tjerët kanë probleme me sistemin senzor, prandaj duhet pasur kujdes me teksturën e ushqimit dhe takëmin që përdorin. 

Për shkak të këtyre problemeve më së miri është: 

      • të përdoret takëmi që fëmija do ta zgjedh vetë (të ofrohen disa alternativa)
      • ushqimi duhet të jetë në varësi të dëshirës së fëmijës dhe duhet të plotësohet me lloje të tjera të ushqimit (fëmija nuk duhet të detyrohet të hajë atë që i ofrohet, por gradualisht ushqimi i ri mund t’i ofrohet përmes lojës). Është e rëndësishme të mos fillohet me ndryshimin e njërit ushqim në tjetrin. Ofroni ushqime që janë të njohura, derisa ndërtoni tolerancë për ndryshime të vogla dhe të veçanta. 
      • vendosni rutina të ngrënies. Bëni që fëmija juaj të përvetësojë rutinë ditore kur bëhet fjalë për shujtat (fëmijët me autizëm kanë nevojë për strukturë aktivitetesh)
      • përdorimi i fotografive, në të cilat do të paraqitet procesi i përdorimit të takëmit, cili takëm për çfarë përdoret, si përdoret, njohja e ushqimit
      • uluni në tryezë me fëmijën Tuaj gjatë ngrënies dhe Ju hani (ngrënia së bashku i ndihmon fëmijës të mësojë përmes imitimit. Kur të shohë që Ju hani, mbase do të fillojë edhe t’ju imitojë) 
      • derisa qëndroni ulur në tryezë mos e detyroni me forcë të hajë, ushqimi le të jetë në tryezë, Ju flisni me të, lavdërojeni, përpiquni ta stimuloni të ulet në tryezë  
      • ndërtoni pranimin e ushqimit të ri përmes parimit të ekspozimit gradual të tij. Kjo le të shkojë në faza në mënyrë që të mësojë ta kontrollojë dhe kapërcejë frikën (mund në fillim ushqimi që nuk i pëlqen ose nga i cili ka frikë t’i tregohet në fotografi, pastaj përmes modeleve dhe më në fund të sillet në tryezë). Për shembull, fëmija që ndihet i shqetësuar për prekjen e bananes, së pari mund t’i tregohet fotografia për të parë dhe t’i thuhet se nuk ka pse ta hajë, por vetëm ta shikojë. Pastaj mund t’i jepet banane për ta prekur me ndonjë send, dhe madje edhe me gishta. Nëse fëmija refuzon ta prekë, nuk duhet të detyrohet ta bëjë këtë. Kur do të jetë gati, atëherë vetë do ta marrë në duar. Është e nevojshme të kuptohet se i duhet kohë për ta kapërcyer frikën. Jini pranë tij dhe inkurajojeni atë ta kontrollojë frikën, ndërsa Ju jini të durueshëm. 
      • lëreni fëmijën ta eksplorojë ushqimin përmes shqisave. Merrni modele interesante të prerjes së ushqimit dhe lëreni fëmijën të luajë. Derisa luan, mund të provojë edhe ushqime të reja që nuk i pëlqyen deri atëherë. 
      • siguroni pjata të përshtatshme. Shumë fëmijë me autizëm duan që ushqimet e ndryshme të ndahen në pjata të veçanta. Për këtë qëllim mund të siguroni pjata si në fotografitë më poshtë

Zhvillimi i aftësive të ngrënies së pavarur tek fëmijët me vështirësi në lëvizje

Lëvizshmëria e rënduar, mbajtja e ekuilibrit ose aftësia e rënduar për të shtrydhur kontribuojnë që fëmijët me vështirësi të lëvizjes të përballen me probleme me aftësinë për të ngrënë në mënyrë të pavarur. Disa prej tyre ushqehen me ndihmën e personit tjetër gjatë gjithë jetës së tyre, ndërsa disa të tjerë mund të mësojnë të hanë vetë. 

Fëmija me vështirësi të lëvizjes mund të ketë probleme me të ushqyerit dhe të ngrënit për shumë arsye të ndryshme. Disa prej tyre kanë probleme fizike që e bëjnë të vështirë gëlltitjen, përtypjen, thithjen ose tretjen e ushqimeve të caktuara. Kjo është arsyeja pse procesi i trajnimit të të ushqyerit në mënyrë të pavarur mund të zgjasë shumë kohë. Në mënyrë që të mbështesë dhe lehtësojë këtë proces, vëmendja duhet t’i kushtohet pozicionit të trupit në mënyrë që fëmija të përtypë dhe të gëlltisë ushqimin pa pengesa. 

Për shkak të lehtësisë në procesin e të ushqyerit ekzistojnë mjete të përshtatshme të të ushqyerit, të tilla si lugët dhe pirunët e përshtatur, pjatat dhe gotat, si dhe mbajtëset që ngjiten në karrocën e invalidit ose në shtratin ku fëmija shtrihet. 

Kurdoherë që është e mundur, përdorni takëm përkatës dhe mjete ndihmëse të përshtatshme. 

Në mënyrë plotësuese, luga e përdorur nga këta fëmijë nuk duhet të jetë kurrë më e madhe se gjuha e fëmijës dhe ajo duhet të jetë e sigurt për fëmijën. Është më mirë të jetë e plastikës, dhe nëse fëmija është më i madh, mund të jetë edhe e metalit. Fëmija i moshuar mund të fillojë të përdorë pirun, i cili duhet të jetë po aq i përshtatshëm për përdorim sa edhe luga. Kushtojini vëmendje mbajtëses së duhur të takëmit të ngrënies dhe nëse është e nevojshme përdorni takëm me kënd përkatës të lakimit. Disa fëmijë e kanë të vështirë të bëjnë lakim të vogël të dorës për ta sjellë lugën në gojë. Gjithashtu shumë të dobishëm janë edhe gotat e silikonit dhe pjatat me buzë të ngritura.

Koha e kaluar në të ushqyerit e fëmijës

Koha e caktuar për të ushqyer është e ndryshueshme dhe do të varet nga fëmija dhe lloji i ushqimit. Gjithmonë duhet të kihet parasysh se procesi i ushqimit është një moment i këndshëm dhe për këtë arsye fëmija duhet ta ketë të gjithë kujdesin e duhur dhe t’i jepet koha e duhur. Në përgjithësi, duke i marrë të gjitha rekomandimet e dhëna, procesi i ushqimit mund të zgjasë mesatarisht nga 20 deri në 45 minuta. Mos nxitoni, është e rëndësishme që fëmija të mësojë të hajë sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë të pavarur. Nëse fëmija ka nevojë për ndihmë, le ta ndiejë ushqimin dhe le të mësojë të përtypë dhe gëlltisë. 

Çfarë duhet të dinë prindërit gjatë të ushqyerit: 

      • gjithmonë rrini para fëmijës me këmbët e shtrira në dysheme
      • këmbët e fëmijës duhet të jenë të përkulura në pozicionin ulur (rreth 90 gradë). Mbase mund të duhet të përdorni rrip sigurimi ose peshqirë të vendosur rreth fëmijës për ta mbajtur atë në pozicionin përkatës për ta ushqyer. Nëse fëmija është shtrirë, çojani kokën me jastëk
      • këmbët duhet të qëndrojnë të shtrira në sipërfaqe të fortë, në dysheme, ose mund të përdorni kuti ose karrige të vogël për t’i mbështetur këmbët
      • ndonjëherë nevojitet një karrige e veçantë e përshtatur për t’i dhënë mbështetje fëmijës dhe për ta ndihmuar të mbahet në pozicionin ulur

Zhvillimi i aftësive të të ushqyerit në mënyrë të pavarur tek fëmijët me vështirësi të perceptimit vizual

Para se të filloni ta stërvitni fëmijën me shikim të dëmtuar që të ushqehet në mënyrë të pavarur, mundësojini të njihet me takëmin e ushqimit. Kur punoni me fëmijën, ai duhet të jetë në pozicionin ulur. Më pas jepjani pjatën, le ta mbajë në duar dhe le ta eksplorojë me mbështetjen Tuaj, pastaj pasi ta përvetësojë atë vazhdohet me sendin tjetër derisa fëmija ta përvetësojë takëmin e ushqimit. Gjatë mësimit mund të përdorni teknika të tilla si “dorë për dorë” për t’i ndihmuar fëmijës të mësojë që ta çojë lugën në gojë. Duhet shumë ushtrime që të jetë në gjendje ta bëjë këtë me saktësi, prandaj bëhuni gati për rrëmujat. Derisa ushtrohet, mund të vendosni një bazë plastike ose çarçaf për pastrim më të lehtë. Gjatë veprimit është shumë e rëndësishme që vazhdimisht të shpjegohet tema verbalisht dhe për çfarë përdoret. Për shembull. “Tani do të të jap pirunin, ja merre (ia afroni te dora e tij që ta ndiejë dhe ta kapë), tani le të shohim se si duket, ka dorezë… (nëse është e nevojshme ia mbani dorën dhe e drejtoni gjatë kërkimit të sendit), shikoni në skajet ka diçka të mprehtë me të cilën e thumbojmë ushqimin…” Nëse është e nevojshme, veprimi për një pjesë të caktuar mund të përsëritet disa herë derisa të përvetësohet. Jini të durueshëm dhe inkurajojeni vazhdimisht fëmijën gjatë të mësuarit

Në vazhdim janë dhënë disa strategji që mund t’ju ndihmojnë: 

      • jepini fëmijës një lugë për të luajtur dhe do të mësojë ta mbajë dhe ta afrojë në gojë. Në këtë mënyrë, fëmija do ta mësojë veprimin e ngrënies
      • nëse fëmija Juaj ka mbetje në shikim, gjatë ushqimit zgjidhni pjatë që do të jetë në kontrast me ushqimin. Për shembull, pjata e zezë në të cilën do të vendosni oriz. Inkurajojeni fëmijën Tuaj që të shohë ushqimin gjatë shujtës. Nëse edhe ushqimi, edhe pjata janë me ngjyra të ndritshme, mendoni të vendosni bazë me ngjyrë më të errët nën ushqim
      • nëse fëmija Juaj ka nevojë që dikush tjetër ta ushqejë, derisa e ushqeni, tregojini se do t’ia sillni lugën në gojë, në mënyrë që të dijë se po i vjen kafshata (verbalizojani veprimin për shembull: “Hapeni gojën, të lumtë, është e shijshme”). Mund të prekni butësisht gojën e tij me gisht, lugë ose ta lëmoni në mjekër për ta hapur gojën
      • siç fëmija Juaj rritet, ashtu do të fillojë t’i përdorë gishtat për të marrë ushqim në mënyrë të pavarur. Për ta mësuar fëmijën të hajë ushqim të fortë, së pari duhet të qëndrojmë para tij, pastaj ngadalë t’i themi: “Eja, merre biskotën”. Kur do ta zgjasë dorën, ngadalë me biskotë ia prekim dorën dhe e stimulojmë që ta kapë, pasi ta marrë, i themi “Tani, fute në gojë… të lumtë” 
      • gotat me kapak ose tub mund t’i ndihmojnë fëmijës të kalojë nga shishja në gotë. Tregoni ngadalë se si ta ngrejë gotën deri në gojën e tij, duke e përdorur teknikën “dorë nën dorë”

Ndihmoni fëmijën Tuaj të ulet në tryezë për të ngrënë

Pasi fëmija të mësojë të hajë vetë gjatë shujtave, le të ulet në tryezë bashkë me Ju. Ajo që duhet t’i kushtoni vëmendje të veçantë është: 

      • gjithmonë enën, pjatën dhe takëmin mbajini në të njëjtin vend. Për ta bërë më të lehtë për fëmijën të gjejë takëmin, mos ia lëvizni
      • ushqimi që hahet më lehtë me lugë manipulohet më lehtë, por kur fëmija Juaj do të fillojë të hajë ushqime më të vogla si bizele, përdorni takëm që do të përshtatet (përdorni enë më të lartë nga e cila nuk mund të derdhet ushqimi në tryezë)
      • mundohuni të keni tekstura të ndryshme në dorezat e lugës, pirunit dhe thikës
      • përdorni enët, buza e të cilave do të shënohet me skaje me ngjyra të kundërta