Mbështetja për t’u ulur

 

Fusha – Motorika e përgjithshme 

Qëllimi i ushtrimit – Stimulimi i motorikës së përgjithshme (arritja e pozicionit ulur) 

Ulja në afat të shkurtër duke u mbështetur është faza fillestare e uljes. Secili fëmijë kalon nëpërmjet procesit të ushtrimit të vazhdueshëm derisa në mënyrë të pavarur të arrijë pozicionin ulur. Në fillim, fëmija do të ulet me mbështetjen e prindërve ose duke u mbajtur në sende të ndryshme, por duke u rritur dhe pjekur, bëhet i pavarur në ulje, me reagime të zhvilluara mbrojtëse. Mënyrat e duhura të uljes i mundësojnë fëmijës t’i zotërojë më lehtë fazat e ardhshme të zhvillimit, ndërsa mënyra e gabuar e uljes (ulja në formën e shkronjës W) mund të çojë në vështirësi në zotërimin e fazave të ardhshme të zhvillimit motorik.

Mosha – 6 muaj deri në 1 vjeç 

Kompetencat e fituara paraprakisht:

      • kontrolli i kokës
      • pozicioni i barkut – të kthehet nga barku në shpinë, të mbështetet në krahët e shtrirë (pëllëmbët lejohen të mbyllen kur mbështetet)
      • pozicioni i shpinës – të kthehet nga shpina në bark, të ketë kontroll nëse e tërheqim të ulet, i zgjat duart për t’u tërhequr në pozicionin ulur

Përshkrimi – Si të ndihmojmë në arritjen e uljes së pavarur?

Nuk rekomandohet të vendosni fëmijën në pozicionin ulur para se fëmija të mbush 4-5 muaj. Ajo që mund të bëhet në atë periudhë është vendosja e fëmijës në karrige relaksuese ose sedilje të automjetit, ku pesha e trupit nuk shkon direkt në legen, por shpërndahet në pjesën e shpinës. Pastaj kaloni në uljen në prehër ose uljen në këmbën e prindit, por me mbështetjen e prindit. 

Kur do t’i marrë kompetencat e mësipërme, fillojmë duke e vendosur në pozicionin ulur në dysheme me ç’rast vendosim sende të caktuara në anën e pasme dhe anash (zakonisht jastekë të butë). Në moshën 6-muajshe, fëmija duhet të mbajë pozicion të shkurtër ulur duke i vendosur duart para tij (reagimi mbrojtës i përparmë).

Në këtë moment, fëmija lejohet të bjerë anash dhe mbrapa, sepse këto reagime mbrojtëse zhvillohen pak më vonë. Përveç se ulet në dysheme, fëmija mund të vendoset në krevat ose karrige, por duke e mbështetur. Gjatë kësaj periudhe, përveç uljes, është e rëndësishme të bëhen ushtrime për të forcuar muskulaturën e shpinës dhe barkut. Derisa fëmija është ulur, prindi duhet të komunikojë me të dhe t’i japë vazhdimisht sende. Balancimi gjatë uljes zhvillohet më së miri derisa fëmija shikon dhe zgjatet drejt sendit të caktuar. Në këto momente shpesh ndodh që fëmija të bjerë. Sendet duhet t’i jepen edhe prej përpara, por edhe prej anash në mënyrë që të shkaktohet rrotullimi në legen. Ashtu siç fëmija përparon dhe do ta forcojë pozicionin ulur, deri në moshën 9-muajshe fëmija duhet ta zhvillojë reagimin mbrojtës anësor. Kjo do të thotë që kur fëmija do të bjerë anash duhet të ketë lëvizje refleksi duke e vendosur dorën në atë anë në të cilën bie. 

Siç fëmija rritet, mund të vërehet se ulja është më e fortë dhe në të njëjtën kohë mbajtja e sendeve e bën më të zgjuar. I vendos duart edhe anash, jo vetëm para tij. Dhe në këtë fazë vazhdojmë të bëjmë ushtrime për të forcuar muskulaturën e shpinës dhe barkut dhe rrotullimin e legenit. Në 12 muaj presim që ulja të zhvillohet plotësisht me të gjitha reagimet mbrojtëse. Në mënyrë të pavarur të ngrihet nga pozicioni i barkut dhe të ulet, gjithashtu nga pozicioni i shpinës në mënyrë të pavarur fëmija të kthehet në bark dhe të ulet. Derisa fëmija ulet është në gjendje të mbajë baraspeshën e tij. Mund të ulet në mënyrë të pavarur në karrige. Nga pozicioni ulur ngrihet në këmbë dhe zgjatet drejt sendeve të caktuara. 

Ekzistojnë shumë mënyra që fëmija të ulet në dysheme dhe është e ndryshme për secilin fëmijë. Por, ajo që nuk duhet të lejohet është që fëmija të ulet në formën e shkronjës W. Pasojat negative të kësaj uljeje janë të shumta. Mbi të gjitha, kur fëmija është ulur në këtë pozicion, baraspesha nuk mbahet, trupi nuk rrotullohet dhe nuk përdoret. Kemi prekjen e koordinimit bilateral (aftësia për të përdorur anën e majtë dhe të djathtë të trupit në të njëjtën kohë). Pasojat negative janë të mundshme në fazat e ecjes, ngjitjes dhe zbritjes së shkallëve, kërcimit dhe aktiviteteve të tjera motorike. Më shpesh, kur fëmijët kërkojnë lodra dhe luajnë, atëherë e përdorin atë mënyrë të uljes. Ata ulen në atë pozicion, sepse në të gjitha mënyrat e tjera alternative të uljes duhet të mbajnë baraspeshë dhe t’i përdorin muskujt e trupit. Kurdoherë që shohim që fëmija e përdor atë mënyrë të uljes, duhet ta korrigjojmë. 

Mënyrat e tjera të uljes tek fëmijët që janë të lejuara dhe që nuk sjellin pasoja negative janë:

      • ulja me këmbë të kryqëzuara
      • ulja me këmbët e drejtuara përpara
      • ulja anash
      • ulja në gjunj 

Stimulimi i uljes tek fëmijët me autizëm – fëmijët me autizëm nuk presin vështirësi shtesë në zotërimin e fazave të zhvillimit motorik, si dhe në këtë aftësi dhe mbështetja për ta është e njëjtë edhe tek fëmijët me zhvillim tipik. 

Stimulimi i uljes tek fëmijët me aftësi të kufizuara fizike – në secilin lloj të aftësisë së kufizuar fizike një rol të madh në arritjen e fazave të zhvillimit motorik janë aftësitë individuale të fëmijës. Sipas këtij faktori mund të themi nëse fëmija do ta arrijë aftësinë për t’u ulur në mënyrë të pavarur. 

Stimulimi i uljes tek fëmijët me aftësi të kufizuara senzore – tek fëmijët me dëmtime vizuele dhe auditive nuk priten vështirësi në arritjen e fazave të zhvillimit motorik.