Zhvillimi socio-emocional i fëmijës prej 3 deri më 7 vjeç
Përvetësimi i emocioneve bëhet kryesisht në fëmijërinë e hershme, ato janë një nga faktorët më të rëndësishëm që kanë një ndikim të përgjithshëm mbi individin dhe jetën e tij ndërpersonale.
Zhvillimi emocional nënkupton njohjen e emocioneve të veta dhe emocioneve të të tjerëve, aftësinë për të menaxhuar dhe rregulluar emocionet, ndërsa në të njëjtën kohë ka edhe ndikim mbi zhvillimin social.
Socializimi i emocioneve tek fëmijët ndikohet nga mekanizmat e trashëguar të reagimit emocional, familjes dhe mjedisit më të gjerë.
Marrëdhënia midis prindit dhe fëmijës fillon të zhvillohet që në moshë të hershme. Bazuar në mënyrën se si prindi u përgjigjet nevojave të fëmijës, vendoset një nga tri llojet e lidhjes: lloji i sigurt, i pasigurt ose i shqetësuar. Baza për marrëdhëniet e tjera që fëmija do t’i vendosë në të ardhmen, fotografia për vetveten, si dhe funksionimi i tij i mëtejshëm në shoqëri, ndërtohet kryesisht mbi bazën e marrëdhënies që fëmija do ta vendosë me prindërit. Duke vendosur marrëdhënie me fëmijët e tjerë në familje dhe bashkëmoshatarët e tyre, veçanërisht duke u përfshirë në kopshtin e fëmijëve dhe duke i krijuar miqësitë e para, fëmijët mësojnë t’i kuptojnë: nevojat e të tjerëve, pasojat e sjelljes së tyre mbi veten dhe të tjerët, rregullat shoqërore dhe marrëdhëniet ndërpersonale në përgjithësi.
Zhvillimi i qëndrueshëm socio-emocional nuk është vetëm një predispozitë e fortë për sukses të mëtejshëm në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, por gjithashtu ka një ndikim edhe mbi suksesin akademik, suksesin në karrierë, shëndetin më të mirë mendor dhe pranimin më të madh të mjedisit.