Numri dhe sasitë numërore deri në 10
Fusha: Zhvillimi kognitiv
Qëllimi i ushtrimit: Të njohurit e numrave dhe sasive numërore deri në 10
Mosha: duke filluar prej 2 deri në 4 vjeç
Kompetencat e fituara paraprakisht:
-
-
- njohja e formave
- nocionet e formuara shumë – pak
- të kuptuarit e marrëdhënies më shumë – më pak
- drejtimi i vëmendjes
- diskriminimi vizual
- koordinimi sy-dorë
- aftësia për të mbajtur vëmendjen për më shumë se 5 minuta
-
Të njohurit e numrave
Numrat dhe sasitë numërore janë të pranishme gjithkund përreth nesh. Kemi dy duar, dy këmbë, një gojë, 5 gishtërinj në njërën dorë, kemi 4 shtretër në shtëpi, vendosim 6 pjata në tavolinë… Prandaj, filloni të numëroni që nga mosha më e hershme e fëmijës. Së pari Ju theksojeni numrin e sendeve, dhe pastaj bashkë me fëmijën Tuaj mund të numëroni. Është e rëndësishme që së pari t’i mundësoni fëmijës kohë të mjaftueshme për të praktikuar numërimin, pa insistuar në njohjen e shenjës grafike, shifrën e numrit. Numëroni sa gishta janë të drejtë dhe sa janë të lakuar, sa çorape janë në sirtar, sa bonbone na kanë sjellë mysafirët…
Fëmija gradualisht do ta mësojë serinë e numrave deri në 10, me njohje të qartë të sasisë numërore. Për shembull, kur do t’i tregoni katër gishta, duhet të numërojë deri në 4 dhe t’ju thotë se po tregoni 4, ose kur do t’i tregoni 6 kube, duhet të numërojë deri në gjashtë dhe në pyetjen “Sa kube shihni?”, duhet të përgjigjet “Gjashtë”. Kjo aftësi e fëmijës është indikator se nocioni i numrit është formuar tek ai.
Pastaj mund të kaloni në njohjen e shifrave dhe lidhjen me sasinë numërore. Tregojeni numrin një dhe kërkojini fëmijës t’ju sjellë një kukull, një top, një lugë… Pasi fëmija ta mësojë lidhjen e shifrës një me sasinë numërore, kaloni te numri 2, etj.
Njohja e numrave
Numra ka kudo, kështu që çdo rast mund të përdoret për ta drejtuar vëmendjen e fëmijës tek numrat. Për shembull, kërkojini fëmijës të gjejë numrin dy në targën e automjetit, ose kërkoni që t’ju tregojë se cilat numra i sheh në targën e automjetit. Mund të përdorni telekomandën për t’i mësuar numrat duke i kërkuar fëmijës që të shtyp ndonjë numër ose të thotë se cilin numër e ka shtypur. Ose, mund të shkruani numrin e telefonit të gjyshes / gjyshit / të afërmit dhe t’i kërkoni fëmijës t’i lexojë numrat dhe më pas ta telefononi atë numër. Mund të shkruani numra në copë letër dhe t’i kërkoni fëmijës t’i tregojë dhe t’i qëllojë, ose t’i rrethojë numrat që i keni thënë dhe pastaj le t’i ngjyros.
Të mësuarit e numërimit në shtëpi dhe jashtë saj
Siç rritet vetëbesimi i fëmijës, mund të filloni t’i bëni pyetje të rëndomta, të tilla si: “Sa molla ka në pjatë?, Sa kube ka në tryezë?, Sa ngjyra ka në tryezë?, A ka më shumë kube se ngjyra në tryezë?” Derisa ecni, numëroni karriget, lulet dhe të gjitha gjërat e tjera që janë përreth. Pyeteni fëmijën: “Sa fëmijë janë të ulur në karrige?” ose “Sa pemë ka këtu?” etj. Numëroni shkallët së bashku, ecni nga njëri vend në tjetrin. Mund edhe të luani ndonjë lojë si kjo: qëndroni përballë njëri-tjetrit, thoni një numër nga 1 deri në 10 dhe fëmija duhet të bëjë aq hapa sa keni thënë.
Së bashku vizatoni dhe shkruani numra
Ndihmoni fëmijën Tuaj t’i mësojë numrat në mënyrë që do ta njoftoni me shifrat. Mund të filloni duke bërë numra nga plastelina, për shembull, me numrin që i tregon vitet e fëmijës ose numrin e shtëpisë Suaj. Pastaj mund që shifrat t’i bëjë nga leshi, shkopinjtë, etj. Derdhni oriz, miell, polentë, rërë në kuti ose tabaka, tregojini ndonjë numër dhe fëmija duhet ta vizatojë me gisht në rërë. Sigurisht që mund edhe të pyesni “Cili është ky numër?”. Ushtrimet grafomotorike janë gjithmonë mjet i dobishëm për të mësuar të shkruarit e numrave. Vizatojeni numrin me vija ose pika të ndërprera, pastaj bëni që fëmija t’i lidhë ato, duke e krijuar kështu fotografinë e numrit dhe duke e përmirësuar kështu edhe motorikën e lehtë. Gjithashtu mund t’i shkruani numrat me shkumës në oborr ose ta luani lojën “Guaska”.
Përputhja e sasive numërore dhe shifrave
Loja “Domino” është gjithmonë aktivitet argëtues, në të cilën mund të marrin pjesë të gjithë anëtarët e familjes. Është një mundësi e jashtëzakonshme për t’i ushtruar sasitë numërore. Gjithashtu mund të luani edhe “Mos u zemëro njeri”.
Si variacion i lojës “Domino” mund të bëni letra me pika dhe letra me shifra dhe t’i kërkoni fëmijës ta lidh letrën me sasinë e caktuar me shifrën përkatëse.
Në letër shkruani numër të caktuar dhe kërkojini që të vendosë pranë saj, për shembull, dy lule, dy kapëse petkash, dy kube, dy topa të butë. Gjithashtu mund t’i bëni edhe aktivitetet si vijon:
-
-
- shkruani numër në shpatulla dhe lini që fëmija të vendosë shtrëngesa në numrin përkatës
- jepini orë plastike me numër të shkruar në të dhe lëreni ta mbushë me topa ose shkopinj
- renditni kubet sipas numrit të dhënë
- lidheni numrin me sasinë përkatëse numërore të përfaqësuar në vizatim.
-
Kur fëmija do ta zotërojë serinë e numrave, sasitë numërore dhe shifrat deri në 10, mund të kaloni në dhjetëshen e ardhshme.