Mbështetja gjatë ndarjes së fëmijës nga prindërit dhe përshtatja në kopsht

 

Aftësia e organizmit për t’u përshtatur me rrethanat dhe mjedisin e ri është një proces individual që në shumë mënyra varet nga karakteristikat e personit. Gjatë periudhës së këtillë individi harxhon shumë forcë fizike dhe mendore.

Përshtatja në kopsht është një fazë e re në jetën e fëmijës që zakonisht është veçanërisht e vështirë, si për të, ashtu edhe për prindërit. Fëmija është mësuar me atmosferën e shtëpisë dhe afërsinë e prindërve dhe anëtarëve të tjerë të familjes dhe papritmas e ndryshon mjedisin në të cilin ekzistojnë rregullat e sjelljes dhe orari në ditën që duhet të respektohen. Prej tij kërkohet një lloj tjetër e sjelljes, si dhe disiplinë, përkatësisht respektimin e rregullave. Periudha e përshtatjes mund të zgjasë nga 1 ose 2 javë dhe deri në 2 muaj në varësi, jo vetëm të fëmijës, por edhe të bashkëpunimit të ndërsjellë të prindërve dhe edukatorëve.

Në periudhën kur fëmija fillon të shfaqë nevojën për shoqërinë e bashkëmoshatarëve (rreth vitit të dytë), në të njëjtën kohë e shfaqë edhe gatishmërinë për përfshirjen në kopsht, por në shumicën e rasteve, sidomos kur të dy prindërit janë të punësuar, fëmija zakonisht fillon të ndjekë kopshtin qysh në moshën dyvjeçare. Praktika tregon se sa më i rritur të jetë fëmija, aq më lehtë bëhet përshtatja e tij në kopsht.

Përgatitja për përfshirjen në kopsht

Përshtatja në kopsht do të lehtësohet nëse fëmija është i përgatitur paraprakisht për atë “hap të madh” për të.

Në vazhdim janë dhënë disa këshilla se si mund ta bëni më të lehtë për fëmijën që të përshtatet në kopsht:

      • disa muaj para fillimit që të shkojë në kopsht, është e nevojshme të vendosni një orar të zgjimit në mënyrë që të përshtatet me kohën për të shkuar në kopsht
      • do të jetë më e lehtë për fëmijën nëse tashmë di të mbajë lugë dhe nëse ushqimi i tij është afër asaj që do të marrë në kopsht
      • është gjithashtu e dobishme nëse tashmë i kontrollon nevojat fiziologjike dhe di të shprehë nevojën për të shkuar në tualet. Përdorimi i pavarur i oturakut është me dobi të jashtëzakonshme
      • mundësoni që të takohet, të komunikojë dhe të luajë me fëmijët e tjerë (në shesh lojërash, në kënde lojërash, etj.). Kjo do ta bëjë më të lehtë për të që të gjejë një gjuhë të përbashkët me bashkëmoshatarët e tij në kopsht
      • gjatë fundjavave çojeni të luajë në oborrin e kopshtit në mënyrë që ta pranojë atë mjedis më lehtë
      • njoftojeni me kopshtin duke treguar rrëfime në të cilat do të ketë qëndrim pozitiv se kopshti është një vend ku fëmijët argëtohen dhe ku ata janë të qetë.

Kur do të vijë dita të fillojë në kopsht

      • për përshtatje më të lehtë në mjedisin e ri, rekomandohet që disa ditët e para që prindërit të qëndrojnë me fëmijën e tyre në kopsht ose të jenë në afërsi (në oborrin e kopshtit). Pastaj prania e prindërve duhet të zvogëlohet gradualisht
      • parakusht që fëmija Juaj të mos ndihet i braktisur është të dijë se në cilën kohë do ta merrni nga kopshti dhe t’i përmbaheni marrëveshjes
      • lëreni të marrë me vete lodrën e tij të preferuar e cila do t’i japë siguri
      • mos prisni për një mundësi kur fëmija Juaj është i zënë me diçka për të ikur, përkundrazi ndërtoni rutinë për t’u përshëndetur kur e lini në kopsht dhe praktikojeni atë çdo ditë
      • nëse fëmija ka problem të madh të ndahet nga njëri prind (p.sh.: nga nëna), atëherë mundet një anëtar tjetër i familjes ta çojë në kopsht
      • theksojini më tej momentet pozitive të qëndrimit në kopsht. Për shembull, “Të pashë që shumë bukur ke luajtur me…”, “Mësuesja ju tregoi shumë përralla të bukura” dhe të ngjashme.