Ushtrime për zhvillimin e të folurit ekspresiv

 

Fusha: Të folurit ekspresiv

Qëllimi i ushtrimit: Stimulimi i zhvillimit të të folurit, njohja me kafshët shtëpiake, formimi i nocionit “kafshë shtëpiake”

Mosha: Duke filluar prej 2 deri më 4 vjeç

Kompetencat e fituara paraprakisht

      • të kuptuarit e pyetjes “Ku?”
      • të kuptuarit e urdhrit Merr – Vendos
      • aftësia për të mbajtur vëmendjen për të paktën 2 minuta
      • koordinimi sy-dorë

 

Përshkrimi: Së pari, vizatoni disa kafshë shtëpiake në një letër (vizatoni secilën kafshë në një letër të veçantë). Në mënyrë plotësuese, vizatoni të gjitha kafshët së bashku në një letër më të madhe. Nëse keni një sërë modelesh të kafshëve (kafshë plastike) është më mirë të filloni me to. Tregojini fëmijës një nga një kafshët dhe emërtoni. Është më mirë të kombinohen kafshët plastike me fotografi. Filloni me 2 (dy) kafshë së pari, pastaj shtojeni numrin e tyre.

P.sh.: “Ky është kali”, “Kjo është lopë.” Pastaj kërkojini fëmijës t’jua tregojë kalin, pastaj lopën. Pyeteni “Ku është lopa?” disa herë. Njëjtë edhe “Ku është kali?” Kërkojini fëmijës t’i vendosë kafshët në vendin e duhur. Jepjani atij udhëzimin si në vijim: “Merre kalin. Vendose këtu (tregoni ku ta vendos).” Pastaj kërkojini fëmijës ta emërojë kafshën. Hulumtoni të gjitha kafshët në këtë mënyrë. Filloni me ato për të cilat fëmija ka dëgjuar rrëfime, i ka parë drejtpërdrejt ose i njeh ato p.sh.: nga filmat vizatimorë.  

Pastaj mund t’i kërkoni fëmijës t’i kombinojë kafshët plastike me fotografitë në të cilat janë vizatuar kafshët. Kjo është një shkallë më e lartë e abstraksionit kur kërkohet që objekti të çiftëzohet me fotografinë e tij dhe është një fazë e rëndësishme në zhvillimin e mendimit të fëmijës. 

Kërkojini që t’jua tregojë kalin, pastaj ta emërtojë dhe ta vendos në fotografinë ku ka kali. Përsëriteni këtë me të gjitha kafshët. Edhe pse fëmija nuk e ka zhvilluar ende të folurit verbal, mund të filloni të çiftëzoni objektin me fotografinë e tij. Vazhdoni me të gjitha kafshët derisa fëmija t’i vendosë të gjitha kafshët në mënyrën e duhur. (Shih fotografinë më poshtë). 

Mund ta zgjeroni aktivitetin, dhe kështu edhe ta pasuroni fjalimin, në mënyrë që për secilën kafshë t’i tregoni fëmijës disa informata të reja, p.sh.: “Lopa na jep qumësht”, “Kali vrapon”,… dhe duke bërë pyetjet: “Cila kafshë na jep qumësht?”, “Kush vrapon shpejt?” dhe kështu me radhë dhe në këtë mënyrë do të kontrolloni se sa shumë fëmija Ju kupton. 

Mos harroni ta lavdëroni fëmijën për detyrën e kryer me sukses! 

Faza tjetër në pasurimin e të folurit është formimi i nocionit “kafshë shtëpiake”. Për ta bërë këtë, kërkoni nga fëmija t’i vendosë modelet e kafshëve ose fotografitë e kafshëve në fletën ku janë vizatuar të gjitha kafshët së bashku. Pasi fëmija t’i vendosë të gjitha, theksoni: “Të gjitha së bashku me një emër quhen – KAFSHË SHTËPIAKE”.

Në këtë mënyrë fëmija mund t’i mësojë kafshët e egra dhe tek ai do të formohet nocioni – KAFSHTËT E EGRA.

 

Përshtatja e aktivitetit ndaj llojit të ndryshëm të aftësisë së kufizuar:

  • Nëse bëhet fjalë për fëmijën me autizëm duhet t’i kushtoni vëmendje si në vijim:
      • fëmijët me autizëm shpesh nuk vendosin kontakte me sy. Në mënyrë që ndonjë aktivitet të kryhet me sukses, është e domosdoshme të punohet në të. Për të qenë të suksesshëm në këtë, uluni ballë për ballë me fëmijën dhe tërhiqeni vëmendjen e tij. Mund ta arrini këtë duke gudulisur, me grimasa të ndryshme interesante, duke bërë gabime qëllimisht në mënyrë që të provokoni fëmijën që t’ju shikojë
      • sfidojeni fëmijën t’ju imitojë. Në këtë mënyrë do t’ia arrini më lehtë qëllimit
      • filloni aktivitetin me “Më jep” dhe “Merr” për t’u siguruar se ju kupton. Të kuptuarit është i lidhur ngushtë me të folurit
      • filloni me një numër të vogël shembujsh dhe në këtë mënyrë fillimisht do t’ia tregoni kafshën me gishtin tuaj dhe do ta emërtoni, pastaj duke e mbajtur gishtin e tij do ta bëni të njëjtën gjë. Nëse fëmija nuk e emëron kafshën, Ju emërtojeni përsëri
      • bëjeni aktivitetin edhe më interesant duke përdorur onomatopenë, p.sh.: “Si bën lopa?” – MUUU” ose “Si bën qeni? – AV, AV!”
  • Përshtatja e aktivitetit nëse fëmija ka paralizë cerebrale:
      • gjëja më e rëndësishme është që prindërit të stimulojnë lëvizjen e organeve të të folurit dhe të gjithë pjesës së fytyrës në baza ditore, në të gjitha mënyrat e mundshme, me ushtrime të ndihmuara në mënyrë pasive
      • është e rëndësishme të kontrolloni se fëmija Ju kupton me atë që do të kërkoni të kryejë urdhër prej tij, p.sh.: “Më jep lopën?”, “Më trego macen!” Nëse ju ka kuptuar, atëherë mund të kaloni në zhvillimin e të folurit ekspresiv
      • do ta kryeni ushtrimin duke e ndarë secilën fjalë në rrokje, sipas nevojës dhe në tinguj. Gradualisht do t’ia lidhni rrokjet me fjalën e plotë
      • jini këmbëngulës dhe të durueshëm, mos u dekurajoni. Shpërblejeni fëmijën për çdo sukses
      • kushtojini vëmendje se cila anë e fëmijës është më e lëvizshme