Fusha: Vetëshërbimi – përdorimi i tualetit
Qëllimi i ushtrimit: Zhvillimi i kompetencave për përdorimin e tualetit
Mosha: prej 18 muaj e tutje
Kompetencat e fituara paraprakisht:
Para se fëmija të fillojë të përdorë tualetin vetë, duhet të ketë zhvilluar aftësi të konsiderueshme motorike që do t’i ndihmojnë për të zotëruar këtë fushë. Gjatë zhvillimit, vjen koha kur pelenat duhet të largohen nga përdorimi dhe fëmija të mësojë të përdorë oturak i pavarur. Shpesh prindërit pyesin se kur duhet të fillojnë t’i heqin pelenat? Për shkak se çdo fëmijë është individ më vete, zhvillohet ndryshe dhe në kushte të ndryshme.
Shumica e fëmijëve mund të tregojnë shenja të gatishmërisë për të përdorur oturak në moshën prej 18 deri në 24 muaj. Kalimi nga pelenat në oturak / guaskën e tualetit mund të jetë proces i gjatë, por çelësi është në durim dhe ushtrim.
Përshkrimi:
Çdo fëmijë është i ndryshëm dhe do t’i zhvillojë aftësitë për të qenë i pavarur në përdorimin e tualetit sipas ritmit të tyre. Prandaj, përdoreni tabelën e mëposhtme si orientim që duhet të ushtroni me fëmijën Tuaj.
Mosha |
Aktivitetet gjatë tualetit |
Dy deri në tre vjeç |
Fillon të tregojë shenja se mund të shkojë vetëm në tualet, por ka nevojë për ndihmë nga personi tjetër. Fillon të mësojë të përdorë oturak. |
Tre deri në katër vjeç |
Mund të përdorë oturak, por tregon shenja që dëshiron të ulet në guaskë tualeti ku ka dërrasë të përshtatur. Pas përdorimit të tualetit, e lëshon ujin dhe me ndihmë i lan duart. Ka nevojë për ndihmë gjatë të veshurit dhe të zhveshurit. |
Katër deri në pesë vjeç |
I pavarur e përdorë tualetin, por ka nevojë për ndihmë të vogël gjatë fshirjes. |
Më shumë se pesë vjeç |
I pavarur e përdorë tualetin.
I pavarur vishet, nuk ka nevojë për ndihmë.
I pavarur i lan duart dhe i fshin. |
Si mund t’i ndihmoni fëmijës që i pavarur të përdorë tualetin
Ta mësoni fëmijën Tuaj të përdor oturak ose tualet është një hap i madh dhe mund të jetë i vështirë për t’u kapërcyer pa vështirësi. Disa fëmijë mësojnë shpejt, ndërsa të tjerët kanë nevojë për shumë mbështetje dhe inkurajim nga prindërit e tyre. Sidoqoftë, shumica e problemeve gjatë çmësimit mund të shmangen nëse prindërit fillojnë me stimulimin kur fëmija i tyre është i gatshëm të mësojë. Nëse është e nevojshme, prindi mund t’ia shpjegojë veprimin përmes shembujve, demonstrimeve ose fotografive.
Fillimi I trajnimit për t’u çmësuar nga pelenat
Para fillimit të trajnimit të fëmijës, duhet t’i kushtohet vëmendje nëse fëmija është i përgatitur fizikisht dhe emocionalisht. Është shumë e rëndësishme të ndiqni fëmijën dhe t’i vëreni të gjitha shenjat që e tregojnë këtë.
Më poshtë janë dhënë disa shenja që tregojnë se fëmija është i gatshëm për trajnim:
-
-
- tregon me fjalë, grimasa ose mund të jetë përmes mbajtjes së trupit (p.sh. mbajtja e dorës në zonën gjenitale) se ka nevojë fiziologjike;
- nuk e mban pelenën e lagur, qan ose dëshiron ta heqë;
- shfaqë interes për oturakun, dëshiron të ulet në të, e eksploron;
- mund t’i ndjekë udhëzimet themelore;
- dëshiron të fillojë të veshë brekë;
- pelenat i qëndrojnë të thata për rreth dy orë gjatë ditës;
- thjesht mund t’i shtyjë pantallonat dhe të ulet dhe të ngrihet nga oturaku.
Trajnimi:
Pasi të kemi konstatuar që fëmija është gati të çmësohet nga pelenat, fillon trajnimi:
-
-
- fëmija le të mbajë rroba që vishen dhe zhvishen lehtë – qofshin tuta apo pantallona me llastik.
- zgjidhni oturak ose aksesor special – ulëse në tualet – së pari oturakun prezantojani fëmijës dhe cili është qëllimi i tij. Mundësoni që vetëm le të zgjedhë oturak, le të jetë me ndonjë nga personazhet e tij të preferuar vizatimorë.
- futja e rutinës ditore – pasi të njoftohet me qëllimin e oturakut, fusni rutinë ditore, le të ulet çdo ditë në oturak që t’i bëhet shprehi. Derisa është ulur, le të luajë me lodrën e tij të preferuar, ose lexoni libra me fotografi, tregoni rrëfime, etj. Këto janë vetëm disa shembuj, dhe natyrisht mund të jeni edhe vetë kreativë dhe të fusni aktivitete interesante. Është e dobishme të ngjitni një tabelë, afër tualetit, ku për një periudhë të caktuar kohore do të shënohet në cilën periudhë të ditës fëmija i kryen nevojat fiziologjike. Kjo do të mundësojë të vendoset një ritëm i të ulurit në oturak / guaskën e tualetit.
- gjithnjë që vëreni se po shkoni në tualet, menjëherë vendoseni në oturak – në këtë mënyrë do të mësojë që sapo të shkojë në tualet duhet të ulet në oturak.
- lavdërojeni fëmijën për çdo përdorim të suksesshëm të oturakut – mos e ndëshkoni kurrë nëse dështon, lëvdojeni për përpjekjet e tij, “të lumtë për përpjekjen, ishte i shkëlqyeshëm se si i zhvishe tutat vetëm, unë jam shumë krenar me ty”. Lavdërojeni me entuziazëm dhe admirim kur është i suksesshëm. Mund të thoni “Të lumtë, ti je djalë / vajzë e madhe tani”.
- mos e harroni kurrë higjienën – sapo fëmija Juaj fillon të përdorë oturak ose guaskë tualeti është koha ta mësoni edhe se si të fshihet siç duhet me letër tualeti, por më e rëndësishmja është ta zhvilloni shprehinë e larjes së duarve.
- në fillim akoma do të ketë nevojë për pelena gjatë natës – është shumë më lehtë ta mësoni fëmijën të qëndrojë i thatë dhe i pastër gjatë ditës sesa gjatë gjumit gjatë natës. Prandaj, fillimisht rekomandohet të përdorni pelena gjatë natës, ose brekë të përshtatura që janë të padepërtueshme. Vendoseni oturakun afër krevatit të fëmijës Tuaj dhe këshillojeni të ngrihet kur do të duhet ta kryejë nevojën. Thuani se mund t’ju thërrasë për t’ia hequr pelenat dhe t’i ndihmoni në proces.
- keni pritje reale – disa fëmijë kalojnë nga pelenat në oturak për disa javë, ndërsa të tjerët kanë nevojë edhe për 7 deri në 8 muaj. Mos prisni një progres të shpejtë. Qëndroni pozitivë dhe kaloni me durim nëpër proces, gjithmonë duke ia kujtuar fëmijës se sa krenar jeni për arritjet e tij të vogla, por të rëndësishme
Përshtatja për llojin e ndryshëm të aftësisë së kufizuar
Ndonjëherë fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të tejkalojnë sfida specifike në arritjen e pavarësisë në përdorimin e tualetit. Sfidat me këta fëmijë janë mjaft të vështira dhe kërkon shumë kohë dhe durim. Trajnimi fillon kur jemi të sigurt se fëmija është gati për trajnim.
Përshtatja e trajnimit në tualet për fëmijët me autizëm
Gjatë trajnimit për të përdorur tualetin për fëmijët me spektrin autik të çrregullimit si ndihmë mund të përdorni disa strategji të specializuara. Gjatë trajnimit duhet të keni durim, për ta njohur mirë fëmijën. Një strategji që funksionon mirë për një fëmijë nuk do të thotë se do të funksionojë edhe për një fëmijë tjetër me autizëm.
Shenjat që tregojnë se fëmija me autizëm është gati për trajnim:
Fëmijët me autizëm zakonisht i shfaqin të njëjtat shenja të gatishmërisë për trajnimin e tualetit, si edhe fëmijët me zhvillim tipik. Por, këto shenja mund të ndodhin kur fëmija është më i vjetër dhe trajnimi mund të zgjasë më shumë se zakonisht. Zakonisht shfaqen shenjat si në vijim:
-
-
- di të thotë ose të tregojë me gjest
- mund të ndjekë udhëzim të thjesht si “Shko në tualet” ose “Ulu në guaskë”
- të jetë në gjendje t’i tërheqë pantallonat lart e poshtë,
- të qëndrojë i thatë për të paktën një orë në të njëjtën kohë gjatë ditës
Hapat e trajnimit:
Hapat e të mësuarit të fëmijës me autizëm janë të njëjta, si edhe te të gjithë fëmijët e tjerë. Fëmijët me autizëm mund të kenë nevojë për ndihmë dhe strategji shtesë për të përmbushur këtë nevojë. Duhet të dimë që hapi i parë i rëndësishëm në trajnim është vendosja e komunikimit me fëmijën. Të mësuarit për përdorimin e tualetit duhet të kuptohet si një sërë hapash më të vegjël që fëmija duhet t’i lidhë në tërësi. Mënyra më e mirë që fëmija të mësojë është ndarja e detyrave dhe të mësuarit e tyre hap pas hapi.
-
-
- Inkurajimi dhe shpërblimet – kjo do ta inkurajojë fëmijën të ndjehet më mirë dhe të jetë i motivuar për të mësuar. Mund të jetë verbal – për shembull, “Të lumtë Milot, po qëndron ulur” ose lëvdata joverbale, me gjeste (duke duartrokitur për të lumtë) ose me shenja (gishtin e madh lart). Gjithashtu si shpërblim mund të ofroni aktivitetin e preferuar të fëmijës – p.sh. duke luajtur me trenin, duke lexuar librin e preferuar, duke dëgjuar këngën e preferuar. Para se të filloni, planifikoni saktësisht se për çfarë do të shpërblehet fëmija dhe sigurohuni që ai e kupton qartë se çfarë sjellje shpërblehet. Mos e teproni me shpërblimet. Pasi fëmija të përparojë në një hap, ndaloni së përdoruri ushqimin, aktivitetet dhe lodrat si shpërblime. Por, vazhdoni të përdorni lavdërime verbale dhe joverbale.
- Mbështetja vizuale – fëmijët me autizëm shpesh janë nxënës vizualë. Kështu, mund të mbështesni të mësuarit e fëmijës duke ofruar sinjale dhe udhëzime vizuale. Rrëfimet sociale mund të ndihmojnë në përforcimin e rutinës në përdorimin e tualetit. Mund të ngjiten në mur afër tualetit ose oturakut / guaskës së tualetit.
Për shkak se fëmijëve me autizëm nuk u pëlqejnë ndryshimet dhe shqetësohen lehtësisht prej tyre, nëse fëmija ka nevojë të shkojë në tualet në ndonjë vend të panjohur për të, është mirë t’ia tregoni dhe t’ia shpjegoni verbalisht këtë situatë para kohe, në mënyrë që të mos shqetësohet për situatën e re.
Tejkalimi i sfidave gjatë trajnimit:
-
-
- kalimi i fazës – për t’i tejkaluar dhe parandaluar ndryshimet dhe për të mos ndodhur që fëmija të shqetësohet, mund ta kaloni fazën “oturak”. Disa prindër shkojnë direkt për ta vendosur fëmijën e tyre në guaskën e tualetit, ku vendoset dërrasa adaptive. Kjo e kufizon numrin e ndryshimeve që fëmijët i përjetojnë në procesin e trajnimit;
- përdorimi i brekëve – mund të përdoren edhe brekët që janë të padepërtueshme.
- zgjidhni një fjalë që i referohet shkuarjes në tualet – këshilloni të gjithë në familje ta përdorin atë. Fjalët e ndryshme që i përdorni për të përshkruar tualetin mund të jenë konfuze për fëmijët me autizëm;
- pesë minuta ulje në tualet është e mjaftueshme në fillim – ulja shumë e gjatë mund ta bëjë fëmijën të ndjehet i ndëshkuar;
- mundohuni të qëndroni të qetë dhe pozitivë – fëmijët me autizëm mund të kenë vështirësi t’i kuptojnë situatat e reja dhe përgjigjet emocionale të njerëzve të tjerë;
- fëmija pasi të ketë përdorur tualetin të mësojë t’i lajë duart dhe t’i fshijë – kjo është shumë e rëndësishme kur përdorni tualetin, me ç’rast gjithnjë kujtojeni fëmijën për këtë veprim.
Përshtatja e trajnimit në tualet për fëmijët me vështirësi në lëvizje
Për shumë prindër, trajnimi i fëmijëve me vështirësi në lëvizje për të fituar shprehi të pavarësisë në tualet mund të duket si qëllim i paarritshëm. Lëvizshmëria e vështirësuar, mbajtja e vështirësuar e ekuilibrit ose aftësia e vështirësuar për të kapur e vështirësojnë aftësinë për të përdorur tualetin në mënyrë të pavarur. Mbështetja e individualizuar dhe vendosja e rutinës për përdorimin e tualetit mund të ketë ndikim të madh pozitiv në cilësinë e jetës së fëmijës me aftësi të kufizuara fizike.
Gjatë trajnimit të fëmijës të bëhet i pavarur në shprehitë për në tualet:
Filloni me përshtatjen e banjës. Banjo është vendi që shpesh shkakton më shumë sfida për fëmijët me aftësi të kufizuara. Nëse fëmija Juaj ka problem të ulet ose të qëndrojë në mënyrë të pavarur, mund të jetë e nevojshme të përdoren mjetet ndihmëse adaptive për mbështetjen e fëmijës. Mbajtësit adaptivë mund të jenë të mjaftueshëm që fëmija të hyjë dhe të dalë nga tualeti vetë. Është më mirë të vendosni mbajtës të tillë në të gjithë shtëpinë për të lehtësuar lëvizjen e fëmijës. Në tualet duhet të ketë mbajtëse mbi guaskën e tualetit që do t’i ndihmojnë fëmijës të ulet ose të ngrihet në këmbë. Mund të vendosen edhe dyer që hapen dhe mbyllen lehtë (p.sh. me magnet).
Veprimi i trajnimit:
-
-
- para fillimit të trajnimit për përdorimin e tualetit është e nevojshme të vizitoni mjekun për t’i përjashtuar ose zgjidhur të gjitha problemet mjekësore nëse fëmija i ka;
- pastaj filloni ta poziciononi fëmijën duke përdorur ulëse adaptive të tualetit nëse fëmija nuk është në gjendje të mbajë pozicionin ulur në guaskën e tualetit. Fëmija që nuk mund të qëndrojë drejt kur qëndron në guaskë nuk do të jetë në gjendje të relaksohet dhe të përqendrohet në detyrë;
- fëmijët me ton të zvogëluar të muskujve ose muskuj spastik të barkut mund të kenë vështirësi në kontraktimin e muskujve të tyre për të arritur eliminimin e jashtëqitjeve ose urinës. Mungesa e qëndrimit në pozitën e duhur dhe ushtrimet e reduktuara fizike mund të kontribuojnë në kapsllëk. Prandaj, është e nevojshme që fëmija të pijë shumë lëngje gjatë trajnimit. Një lëvizje e vështirë dhe e dhimbshme e zorrës së trashë mund të jetë dështim i rëndësishëm për fëmijën që mëson të jetë kooperativ në vendosjen e rutinës së tualetit;
- fëmijët me aftësi të kufizuara fizike mund të kenë nevojë të ulen në guaskën e tualetit për një kohë më të gjatë. Ndjenjat e paqëndrueshmërisë mund të jenë një nga arsyet kryesore pse këta fëmijë hezitojnë të ulen në guaskën e tualetit. Për shumë fëmijë, futja e thjesht e karrigës nën këmbë mund të jetë e mjaftueshme që fëmija në mënyrë të rehatshme të mund ta mbajë ekuilibrin. Të tjerët mund të kenë nevojë për ulëse adaptive në tualet;
- është e rëndësishme të ekzistojë një ambient i qetë në tualet pa shpërqendrime, tinguj ose aroma që mund të shkaktojnë shqetësime ose ankth. Nëse fëmija nuk ndërpritet vazhdimisht nga ngacmimet e jashtme, do ta ketë më të lehtë t’i përkushtohet detyrës dhe të demonstrojë sukses. Fëmijët e tjerë mund të kenë nevojë për muzikë, lexim të librit të preferuar me tregime, ose lodër për t’u inkurajuar që të ulen për një periudhë më të gjatë kohore;
- vendosja e rutinës ditore për të shkuar në tualet, përkatësisht orarit të caktuar kohor, për shembull, për çdo orë deri në dy orë. Me kalimin e kohës, fëmija mund të ndërgjegjësohet për nevojën për të shkuar në tualet. Është e dobishme të mbani evidencë për atë se kur fëmija ka ngrënë për herë të fundit, ka pirë lëngje dhe në cilën periudhë të ditës shkon zakonisht për të kryer nevojën. Kjo do t’ju ndihmojë më lehtë që të kapni ritmin e shkuarjes në tualet dhe do ta bëjë trajnimin shumë më të lehtë;
- përmes vëzhgimit, prindërit mund të mësojnë të interpretojnë gjuhën e trupit dhe shenjat joverbale që tregojnë për “nevojën për të shkuar në tualet”. Sapo fëmija të bëhet i vetëdijshëm se është lagur ose ndotur, mund të dëshirojë të kryejë nevojën në tualet për të qëndruar i thatë. Fëmija mund të tregojë shenja duke parë drejt tualetit ose duke treguar ndonjë shkallë të caktuar të ankthit, duke e shtyrë rrobën e brendshme teposhtë ose duke qenë nervoz (duke qarë). Mund edhe të ndodhë të ecë ose manovrojë në karrocën e tij të invalidit për në tualet. Në fund (ndërsa kjo mund të zgjasë me muaj ose vite) fëmija mund të mësojë të kërkojë verbalisht ose të përdorë gjest, simbol, fotografi ose shikim të syve për të kërkuar të shkojë në tualet;
- Jini konsekuentë. Mos hiqni dorë nga qëllimi, gjithmonë shpërblejeni suksesin e arritur;
- Bëni durim. Ndoshta fëmijës mund t’i duhen disa javë, muaj ose vite për të mësuar.
Llojet e ndryshme të mjeteve ndihmëse adaptive
Pavarësia në përdorimin e tualetit është kthesë zhvillimore në jetën e çdo fëmije. Për fëmijën me aftësi të kufizuara fizike, barrierat janë edhe më të larta, ndërsa sfidat janë shumë më të mëdha. Ekzistojnë disa lloje të mjeteve ndihmëse adaptive që mund t’ia lehtësojnë procesin e të mësuarit të përdorimit të tualetit.
Përshtatja e trajnimit në tualet për fëmijët me vështirësi në perceptimin vizual
Strategjitë për trajnimin e fëmijës Tuaj me shikim të dëmtuar:
-
-
- mundësoni fëmijës të njihet me oturakun dhe shpjegoni se për çfarë përdoret. Mësoni paraprakisht shenjat që tregojnë se fëmija Juaj ka nevojë për tualet;
- pasi të njihet me oturakun, vendoseni në qilim gome që pastrohet dhe lahet lehtë. Ai siguron orientim taktil për ta bërë më të lehtë për fëmijën për të gjetur oturakun. Gjithashtu, mundëson që të vendoset në sipërfaqe që nuk rrëshqet, në mënyrë që fëmija të mund të ulet i sigurt dhe i vendosur, pa rrëshqitur nëpër dysheme;
- derisa fëmija Juaj është ulur në oturak, mund t’i lexoni libër për ta mbajtur atë të zënë;
- nëse fëmija Juaj ka frikë nga tingujt që bën nga lëshimi i ujit të kazanit të tualetit, mundësojini të lëshojë ujë disa herë kur nuk e përdor;
- gjithmonë oturaku le të jetë i vendosur pranë tij, në mënyrë që të jetë më e lehtë për ta gjetur dhe gjithnjë le të qëndrojë në të njëjtin vend. Nëse ka ndryshime në vendosjen e tij, shpjegojani fëmijës Tuaj paraprakisht;
- ndryshimi i sendeve në shtëpi nuk është i dëshirueshëm, veçanërisht kur mësoni fëmijën të përdorë tualetin. Fëmija tashmë e ka mësuar hapësirën dhe lëreni ashtu.
Sapo fëmija do të mësohet të përdorë oturak dhe tashmë është pjekur mjaftueshëm, mund të filloni ta trajnoni për të përdorur edhe guaskë tualeti:
-
-
- në fillim me ndihmën Tuaj përmes teknikës “dorë nën dorë” ose “dorë mbi dorë” çojeni fëmijën në tualet ku Ju verbalisht dhe nëpërmjet prekjes së përbashkët të sendeve në banjë do t’ia shpjegoni hapësirën;
- për fëmijët që kanë dëmtime në shikim, rruga për në tualet mund të shënohet me drita që fëmijët do t’i ndjekin. Ose afishe më të trasha mund të vendosen në shtëpi që do të shënojnë rrugën për në tualet (fëmija nëpërmjet këmbëve do t’i ndiejë dhe do t’i ndjekë ngjitëset);
- ndihmoni fëmijën Tuaj t’i tërheqë pantallonat dhe rrobat e brendshme lart e poshtë duke i përdorur teknikat e lartpërmendura. Blini rroba që janë të lira dhe nuk kanë shumë pulla;
- mësojeni fëmijën Tuaj t’i lajë duart pasi të ketë përdorur tualetin. Nëse ka shikim të dobët, përdorni pjatë sapuni që është në kontrast me lavamanin, në mënyrë që ta shohë atë lehtësisht. Mbani sapunin dhe peshqirin në të njëjtin vend vazhdimisht në mënyrë që fëmija t’i gjejë ato lehtësisht.
Trajnimi i përdorimit të tualetit nuk ndodh brenda natës. Gjithmonë kërkon durim. Fëmija Juaj mund të ketë nevojë për më shumë praktikë sesa fëmijët e tjerë të moshës së tij, por ai mund të mësojë të jetë i pavarur me mbështetjen dhe inkurajimin Tuaj!